SHBA shton trupat ushtarake në Gjermani, pse u mor ky vendim?

Bota

SHBA shton trupat ushtarake në Gjermani, pse u mor ky vendim?

SHBA nuk i pakësojnë, por i shtojnë trupat e përhershme në Gjermani, megjithë vëmendjen ndaj Azisë. Gjermania përfiton sërish nga gjeopolitika, këtë herë sepse nuk është në vijën e parë të frontit, shkruan Auron Dodi.

Ishte Berlini, jo kryeqyteti i ndonjë vendi tjetër ku ndaloi për herë të parë në Evropë ministri i ri amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin. Në Berlin ai qëndroi madje para se të vizitonte NATO-n, në Bruksel. Mbi të gjitha Austin solli në Gjermani një lajm të vlerësuar: administrata Biden jo vetëm që e ndaloivendimin e paraardhësit Trump për të tërhequr një të tretën e ushtarëve amerikanë të stacionuar në Gjermani. Pra “tërheqja u ndërpre”, siç u shpreh Austin.

Por Bideni madje e ktheu në të kundërtën vendimin e Trumpit. Austin njoftoi të martën (13.04.) në Berlin se SHBA do të stacionojnë edhe 500 ushtarë të tjerë “në mënyrë të përhershme” në Gjermani. Stacionimi do të bëhet që këtë vjeshtë në zonën e Wiesbadenit, në jugperëndim të Gjermanisë.  Me këtë, numri i përgjithshëm i trupave amerikane në Gjermani arrin në 35.000 vetë.

Joe Bideni bën me këtë një hap konkret për riparimin e marrëdhënieveme Gjermaninë, të dëmtuara nga paraardhësi i tij në post, Donald Trump. Midis Azisë dhe Evropës: SHBA forcojnë praninë në Gjermani

Në një kohë kur vitet e fundit politika e jashtme e SHBA është përqendruar më fort në Azi, administrata e re po bën tani në Evropë një hap në mbështetje të NATO-s, në mbështetje të Gjermanisë. Stacionimin e trupave amerikane në Gjermani Lloyd Austin e quajti të mirë „për SHBA dhe për NATO-n”.

Ministri amerikan i Mbrojtjes tha në Berlin se Gjermania “do të vazhdojë të jetë një partner i rëndësishëm i sigurisë dhe ekonomik për Shtetet e Bashkuara në vitet e ardhshme” për shkak të „dinamikës globale në ndryshim” dhe një “mjedisi të vështirë të sigurisë”.

Më tej ai tha se “forcimi i marrëdhënieve tona me Gjermaninë ka përparësi të lartë, për administratën Biden/Harris”. Elementët e karrierës personale i dhanë nota të përzemërta fjalëve të ministrit amerikan të Mbrojtes në Berlin. Lloyd Austin, që sot është gjeneral në pension tha se ruan kujtimet më të mira për njerëzit dhe kulturën gjermane, nga koha kur ka shërbyer vetë si nëntoger, te trupat amerikane në Gjermani.

Njëkohësisht, në vendimin e fundit amerikan për shtimin e trupave në Gjermani disa vëzhgues në Gjermani duan të shohin një rikthim të frymës së Luftës së Ftohtë. E freskët është në kujtesën kolektive në Gjermani koha kur Gjermania ishte në vijën e parë të frontit përballë bllokut komunist. Dhe kur forcohej nga aleatët në mbrojtje të Perëndimit.

Por sot, zhvillimet gjeopolitike duket se po e favorizojnë Gjermaninë pikërisht sepse nuk është më në vijën e parë të frontit. Megjithë këmbënguljen e Polonisë, Trumpi nuk stacionoi masivisht trupa amerikane atje: pamja e konfrontimit me rusët në Poloni do të ishte direkte.
Dinamika globale në ndryshim dhe Rusia

Ministri amerikan i Mbrojtjes mbajti qëndrim të mbuluar kur e pyetën në konferencën e shtypit në Berlin, nëse forcimi i pranisë në Gjermani ka të bëjë me veprimet e Rusisë.
Ai tha se vendimi është një mesazh për NATO-n, “se ne e mbështesin NATO-n në përmasat më të gjera”. Dhe se “më e rëndësishmja, ne e vlerësojmë marrëdhënien tonë me partneren tonë këtu, Gjermaninë”.

Por këto fjalë dhe roli që u përshkroi ai trupave shtesë amerikane në Gjermani flasin për vëmendje amerikane ndaj Rusisë. Austin tha se me forcat e reja përmirësohen aftësitë për parandalim të konfliktit. “Dhe në rast nevoje, aftësia jonë për të luftuar dhe fituar.” Me to shtohen kapacitetet për aftësi luftarake kibernetike dhe elektronike.DW/

ME TE LEXUARAT