Rusia vijon sulmet në Ukrainë, të paktën 5 të vrarë gjatë natës, përfshirë një fëmijë

Sulmet ruse në Ukrainë kanë vazhduar edhe para samitit në Uashington mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atij amerikan Donald Trump.
Në qytetin verilindor të Kharkiv, të paktën katër persona, përfshirë një fëmijë, humbën jetën pas goditjes me dron të një blloku apartamentesh. Një pjesë e ndërtesës u shemb dhe autoritetet shqetësohen se mund të ketë më shumë viktima nën rrënoja, raporton kryebashkiaku Ihor Terekhov.
Në rajonin e Zaporizhzhisë, një person vdiq dhe gjashtë të tjerë, përfshirë dy fëmijë, u plagosën gjatë një sulmi rus me bomba rrëshqitëse, tha kreu i administratës rajonale Ivan Fedorov.
Samiti në Shtëpinë e Bardhë pritet të diskutojë strategjinë përfundimtare lidhur me luftën në Ukrainë, me takime të veçanta mes Zelensky-t dhe Trump-it, dhe më pas me liderët kryesorë evropianë.


