Rritet numri i viktimave nga përplasja e dy trenave në Spanjë

Bota

Rritet numri i viktimave nga përplasja e dy trenave në Spanjë

Numri i viktimave nga përplasja mes dy trenave të shpejtë në Spanjë ka arritur në 45, pasi trupat e dy burrave të tjerë u gjetën në një vagon të dëmtuar, tha Qeveria rajonale e Andaluzisë më 22 janar.

Besohet se trupat u përkasin dy personave që figuronin si të zhdukur pas aksidentit, që ndodhi të dielën në mbrëmje.

Identifikimi formal nga Instituti i Mjekësisë Ligjore i Kordobës ende nuk është kryer.

Trupat u gjetën në një vagon që kishte rënë rreth katër metra poshtë hekurudhës dhe që kishte pësuar dëme të mëdha.

Numri i të plagosurve nga aksidenti është 123, nga të cilët 31 vazhdojnë të jenë të shtruar në spital. Gjashtë persona ndodhen ende në kujdes intensiv, njoftuan shërbimet e emergjencës së Andaluzisë në X. Megjithatë, sipas tyre, asnjëri nga të plagosurit nuk është në rrezik për jetën.

Sipas Gardës Civile, në mesin e viktimave kishte tre shtetase të huaja, të gjitha gra: një nga Gjermania, një nga Rusia dhe një nga Maroku.

Kryetari i rajonit të Andaluzisë, Juanma Moreno, tha se nuk ka më persona të zhdukur dhe se kërkimet për viktima janë ndërprerë.

Identifikimi i viktimave ka qenë i vështirë, prandaj autoritetet u kanë bërë thirrje familjeve që dyshojnë se mund të kenë humbur të afërm të ofrojnë mostra të ADN-së.

Dyzet e tre trupa të viktimave veçse janë identifikuar, por identiteti i tyre nuk është bërë publik.

Shkaku i aksidentit, që është një nga më të rëndët në historinë e Spanjës, ende nuk dihet. Autoritetet nuk e kanë përjashtuar mundësinë që shkaku të jetë dëmtimi i hekurudhës ose ndonjë defekt në njërin nga trenat.

Vetëm dy ditë pas aksidentit të së dielës, një shofer treni vdiq pasi u aksidentua me një tren lokal në Gelida, në perëndim të Barcelonës. Dhjetëra pasagjerë u lënduan, pesë prej tyre rëndë.

Një tjetër aksident hekurudhor ndodhi të enjten, kur një tren i vogël lokal u përplas me një kran në Murci, në lindje të Spanjës dhe sipas autoriteteve gjashtë persona pësuan lëndime të lehta.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion