Republikanët ‘i luten’ Trumpit: Mos iu nënshtro Putinit, mund të përfitojë shumë

Presidenti amerikan Donald Trump ka marrë një reagim të fortë nga ligjvënësit republikanë pas takimit të tij me Vladimir Putinin dhe diskutimeve për një marrëveshje të mundshme paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës. Megjithëse administrata e Trump e sheh teorikisht si hap drejt mbylljes së luftës, shumë republikanë paralajmërojnë se kjo qasje mund të përfundojë si një fitore për Kremlinin.
Shqetësimi kryesor i tyre lidhet me frikën se Trump mund të tregojë më shumë butësi ndaj Putinit, duke rrezikuar që ai të marrë përfitime të mëdha në tryezën e negociatave.
Tillis: “Putini po e shëtit Trump-in”
Senatori republikan Thom Tillis, gjatë një interviste në “CBS Mornings”, u shpreh hapur: “Është e qartë që Putin po e shëtit Trump-in. Të japësh qoftë edhe një fitore të vogël për të, do të thotë të mbështesësh bindjen e tij se bota duhet të sundohet nga regjimet totalitare.”
Graham: “Mos shpërbleni agresionin”
Një tjetër zë i fortë është ai i senatorit Lindsey Graham. Ai paralajmëroi se çdo “shkëmbim toke” në negociata nuk duhet të përkthehet në njohje zyrtare të pushtimit rus.
“Të jemi shumë të kujdesshëm të mos i japim Putinit tokë ukrainase si shpërblim. Kina po na vëzhgon. Çdo lëshim në Ukrainë mund të nxisë pushtimin e Tajvanit,” tha Graham.
Reagime nga Fox News dhe konservatorët
Zërat kritikë nuk munguan as nga figura të fuqishme mediatike. Moderatori Sean Hannity pranoi: “Do të preferoja që agresioni i Putinit të mos shpërblehej.” Ndërsa Mark Levin, në një postim pas ofensivës së fundit ruse, e quajti presidentin rus “maniak gjenocidal që nuk përmbahet dot”.
Këto paralajmërime gjetën mbështetje edhe nga senatori Roger Wicker, kryetar i Komitetit të Forcave të Armatosura, i cili tha se Trump duhet të mbajë Perëndimin të bashkuar përballë “mashtrimeve të Putinit”.
Cruz: “Pa marrëveshje që duket fitore për Rusinë”
Senatori Ted Cruz e vlerësoi mundësinë që Trump të arrijë një marrëveshje, por me kusht: “Kjo duhet të jetë një humbje e qartë për Putinin. Rusia nuk është miku ynë.”
Deputetët: Trump të mos relativizojë luftën
Në Dhomën e Përfaqësuesve, kongresmeni Don Bacon u shpreh se retorika e Trump se “Ukraina mund të ketë paqe nesër, nëse dëshiron”, është problematike. “Kjo tingëllon si thirrje për dorëzim përballë pushtimit rus. Rusia e nisi këtë luftë, dhe ne nuk duhet të shpërblejmë barbarinë,” tha ai.
Sondazhet: Amerikanët dyshues ndaj Trump-it
Sipas një sondazhi të Fox News, 58% e amerikanëve mendojnë se Putin ka epërsinë ndaj Trump-it përpara samitit të tyre. Po ashtu, një anketim i Gallup tregoi se 7 nga 10 amerikanë frikësohen se një marrëveshje paqeje do të jetë në favor të Rusisë.


