Presidenti Macron njofton përditësimin e doktrinës bërthamore franceze në fillim të vitit 2026

Presidenti francez Emmanuel Macron bëri të ditur sot se do të mbajë një fjalim “në fillim të vitit 2026” mbi doktrinën bërthamore të Francës, e cila do të përditësohet, siç deklaroi në një intervistë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.
“Jam duke punuar aktualisht për përditësimin e doktrinës sonë dhe dëshiroj të vazhdoj thellimin e dialogut strategjik me europianët që e dëshirojnë këtë. Që prej vitit 1962 ekziston një dimension europian në këtë çështje”, u shpreh Macron.
Franca, së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, janë të vetmet vende në Europë që zotërojnë armë bërthamore.
Këto deklarata vijnë në një kohë kur është rritur shqetësimi në disa vende evropiane për mbështetjen e ardhshme amerikane, në rast të një konflikti, duke rihapur debatin nëse përfshirja në ombrellën bërthamore franceze mund të jetë një alternativë. Friedrich Merz, ndër të tjera, ka kërkuar që kjo çështje të hapet për diskutim.
Macron do të udhëtojë të premten në Saarbrücken të Gjermanisë, me rastin e Ditës së Unitetit Gjerman, 35 vjet pas ribashkimit të vendit, me ftesë të homologut të tij Frank-Walter Steinmeier dhe në prani të kancelarit Friedrich Merz.
Gjatë intervistës, ai ka theksuar edhe një herë rëndësinë e boshtit franko-gjerman dhe ka vlerësuar përputhjen e vizioneve me qeverinë konservatore gjermane.
I pyetur për mundësinë që një avion luftarak rus të rrëzohet nëse futet pa leje në hapësirën ajrore evropiane, Macron iu referua “doktrinës së paqartësisë strategjike”, duke deklaruar: “Ju mund të them se asgjë nuk përjashtohet, sepse duhet ta mbajmë presidentin Putin në pasiguri.”
Javën e kaluar, Macron kishte deklaruar se NATO “duhet të ngrejë një nivel më lart” në rast të “provokimeve të reja nga Rusia”, duke shtuar se “nuk do të hapim zjarr”. Këtë herë, ai shfaqet më i qetë, duke theksuar se Perëndimi ka përsëritur disa herë para Moskës se nuk do të tregojë dobësi.
Presidenti francez u shpreh veçanërisht kritik ndaj Rusisë, të cilën e akuzon për ndërhyrje në çështjet e brendshme të vendeve demokratike.
“Do të ishim naivë nëse nuk do të pranonim se ushtria e fshehtë ruse po përhapet në demokracitë tona. Ata përbëhen nga ‘luftëtarë anonimë’ që njihen si bot-e digjitale. Ata manipulojnë demokracinë në Francë, Gjermani dhe në të gjithë Europën”, paralajmëroi Macron.


