Presidenti i Azerbajxhanit: "Rusia rrëzoi avionin tonë me 38 të vdekur dhe u përpoq të fshehë shkakun"

Avioni i Azerbajxhanit i cili u rrëzua në Kazakistan këtë javë duke vrarë 38 persona, u dëmtua për shkak të të shtënave nga toka në Rusi, tha të dielën presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.
Ai akuzoi Moskën se ishte përpjekur të fshehë shkakun e rrëzimit vdekjeprurës te avionit dhe i bëri thirrje Rusisë që të pranojë "fajësinë" në lidhje me katastrofën.
Presidenti Aliyev tha se i vinte keq që "disa qarqe" në Rusi ishin përpjekur të heshtin të vërtetën rreth rrëzimit, në të cilin 38 nga 67 personat në bord u vranë, duke nxjerrë tregime të rreme rreth shkaqeve të rrëzimit, tha televizioni shtetëror i Azerbajxhanit.
Autoritetet zyrtare ne Baku shprehen keqardhjen që Moska "paraqiti teori" që "tregonin qartë se pala ruse dëshironte të mbulonte" çështjen.
“Faktet janë se avioni civil i Azerbajxhanit u dëmtua nga jashtë mbi territorin rus, pranë qytetit të Grozny, dhe humbi kontrollin”, tha Aliyev në komentet televizive, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Azertag.
“Ne e dimë gjithashtu se sistemet e luftës elektronike e nxoren avionin tonë jashtë kontrollit”, tha ai, duke shtuar se “në të njëjtën kohë, si pasojë e zjarrit nga toka, edhe bishti i avionit është dëmtuar rëndë”.
Ai shtoi se "natyrisht", avioni i Azerbajxhanit "u godit aksidentalisht. Sigurisht, këtu nuk mund të flitet për një akt të qëllimshëm terrori".
“Prandaj, pranimi i fajit, kërkimi i faljes në kohën e duhur ndaj Azerbajxhanit, i cili konsiderohet vend mik dhe informimi i publikut për këtë - të gjitha këto ishin masa dhe hapa që duhej të ishin ndërmarrë”, tha ai.
Presidenti rus Vladimir Putin të shtunën "i kërkoi falje" Aliyevit për atë që Kremlini e quajti "incident tragjik", por ai nuk pranoi se mund të ishte goditur nga zjarri rus.
Megjithatë, Putin pranoi se mbrojtja ajrore ruse ishte aktivzuar në punë kur avioni i pasagjerëve u përpoq të ulej në Grozny përpara se të rrëzohej. Moska kishte thënë më herët se Grozny, ku avioni do të ulej, por në vend të kësaj u rrëzua në Kazakistanin perëndimor, u sulmua nga dronët ukrainas atë ditë.
Kremlini tha se Putini i kërkoi falje udhëheqësit të Azerbajxhanit Aliyev për "incidentin tragjik" në një telefonatë, por nuk tha se mbrojtja ajrore ruse qëlloi avionin.
Më herët, ministri i transportit i Azerbajxhanit tha se avioni që u rrëzua më 25 dhjetor i ishte nënshtruar "ndërhyrjes së jashtme" dhe u dëmtua brenda dhe jashtë, ndërsa u përpoq të ulej në republikën jugore të Rusisë, Çeçeni.
"Të gjithë [të mbijetuarit] pa përjashtim deklaruan se dëgjuan tre tinguj shpërthimesh kur avioni ishte mbi Grozny," tha Rashad Nabiyev.
Në një deklaratë të mëparshme të lëshuar pas telefonatës së Putinit me Aliyev, presidenca e Baku duket se nuk tregonte asnjë dyshim se avioni ishte goditur mbi Rusi.
"Presidenti Ilham Aliyev theksoi se avioni i pasagjerëve të Azerbajxhanit Airlines hasi në ndërhyrje të jashtme fizike dhe teknike ndërsa ishte në hapësirën ajrore ruse, duke rezultuar në një humbje të plotë të kontrollit", thuhet në deklaratë.


