Prag tragjedie ajrore! Avioni ushtarak gati sa nuk përplaset me aeroplanin e pasagjerëve, piloti: Na kaloi drejtpërdrejt përpara nesh

Një tragjedi ajrore është shmangur, kur një avion drejt Nju Jorkut u detyrua të ndërpriste ngjitjen për të shmangur një aeroplan ushtarak amerikan që po furnizohej me karburant në ajër.
Kapiteni i avionit ka fajësuar drejtpërdrejt aeroplanin e Forcave Ajrore të SHBA-së për incidentin.
Sipas një audio regjistrimi të komunikimit mes pilotit dhe kontrollit të trafikut ajror, kapiteni deklaron: Pothuajse patëm një përplasje në ajër këtu lart. Aeroplani ushtarak erdhi pikërisht në rrugën tonë të fluturimit. Ata nuk e kishin të ndezur transponderin, gjë që është skandaloze.
Incidenti përfshinte fluturimin 1112 të JetBlue, i cili ishte nisur nga Kuraçao, një shtet i vogël në Karaibe pranë brigjeve të Venezuelës, me destinacion aeroportin JFK në Nju Jork.
Ngjarja vjen në një kohë kur ushtria amerikane ka intensifikuar operacionet e saj në rajon, duke kryer sulme ajrore kundër trafikantëve të dyshuar të drogës në Karaibe dhe duke rritur njëkohësisht presionin ndaj qeverisë venezueliane.
Sipas The Guardian, në një komunikim të mëvonshëm me kontrollin e trafikut ajror, piloti e përshkroi incidentin me më shumë detaje: Ai kaloi drejtpërdrejt përpara nesh, më pak se pesë milje larg, ndoshta dy ose tre milje dhe ishte një avion furnizimi me karburant i Forcave Ajrore të SHBA-së, në të njëjtën lartësi me ne. U detyruam të ndalonim ngjitjen.
Kapiteni shtoi se aeroplani ushtarak më pas u drejtua drejt hapësirës ajrore të Venezuelës.


