Përmbytje të menjëhershme në Kinën Veriore, 8 viktima dhe 4 të zhdukur

Tetë persona kanë humbur jetën dhe katër të tjerë janë shpallur të zhdukur pas një përmbytjeje të menjëhershme që goditi rajonin e Mongolisë së Brendshme në Kinën veriore. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 22:00 me orën lokale, duke marrë përpara 13 persona që ndodheshin në një kamping.
Agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua raportoi se deri më tani është shpëtuar vetëm një person, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë me intensitet. Autoritetet lokale kanë angazhuar dhjetëra ekipe emergjence për të kërkuar personat e zhdukur dhe për të siguruar zonën e prekur.
Përmbytjet e shpejta janë një fenomen i përsëritur në Kinë, sidomos gjatë stinës së shirave të dendur, duke shkaktuar shpesh pasoja të rënda në jetë njerëzish dhe dëme materiale.


