Pasdite priten stuhi, në kulmin e vapës në Kosovë jepet alarmi për ndryshimin e motit

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjatë ditës së sotme vendi do të karakterizohet nga mot me diell dhe vranësira të pjesshme, ndërsa në orët e mesditës dhe pasdites pritet zhvillim i vranësirave konvektive që në disa zona do të sjellin reshje lokale shiu dhe shkarkesa rrufesh.
Sipas IHMK-së, në zona të izoluara mund të ketë rrebeshe më intensive shiu, erëra të fuqishme afatshkurtra dhe breshër. Reshjet do të jenë me karakter lokal, ndaj disa rajone mund të përballen me stuhi të shkurtra, ndërsa pjesa tjetër e vendit do të mbetet kryesisht e thatë.
Temperaturat maksimale do të lëvizin ndërmjet 31 dhe 33 gradë Celsius, ndërsa era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi me intensitet të lehtë deri mesatar, duke u fuqizuar përkohësisht në zonat ku zhvillohen procese stuhore.
IHMK u bën thirrje qytetarëve të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të tregojnë kujdes gjatë aktiviteteve në ambiente të hapura, veçanërisht në rast të bubullimave, erërave të forta dhe reshjeve intensive.
Edhe Organizata Evropiane për Parashikimin e Stuhive (ESTOFEX), e cila monitoron motin e ashpër në Evropë, ka lëshuar një alarm të nivelit 3, niveli më i lartë i rrezikut, për Kosovën dhe disa vende të rajonit.
Sipas parashikimit të ESTOFEX-it, i cili vlen nga e marta, 21 korrik 2026, deri të mërkurën, 22 korrik 2026, Kosova përfshihet në zonën me rrezikun më të lartë për zhvillimin e stuhive të fuqishme.
Sipas ESTOFEX, përfshirja e Kosovës në zonën me nivelin 3 të rrezikut nënkupton një potencial të lartë për mot ekstrem, me mundësi për breshër shumë të madh dhe erëra të forta.