Bllokimi i foltores nga demokratët, mbyllet seanca plenare, kryetari Peleshi: Rendi i ditës nuk ndryshon se doni ju

Duke iu drejtuar Gazment Bardhit se s’mund të bllokohet seanca për shkak se opozitës nuk i pëlqen dikush (në këtë rast, Avokati i Popullit), Niko Peleshi hodhi në votim propozimin e Taulant Ballës për të shtyrë pikat e seancës ditën e enjte.
“Rendin e ditës e shpall kryetari i Kuvendit, nuk mund të vendosim pas 7 orësh si do ta bëjmë aq më keq në presionin e bllokimit fizik të foltores. Nuk i vlen askujt.
Si mund të bllokosh Kuvendin se nuk të pëlqen dikush? Ju thoni është antikushtetues se e shpall unë, të ligjshëm a të paligjshëm e shpallin gjykatat. Nëse do të ishte pranuar nga GJK do ta zbatonim, unë i pari dhe gjithë të tjerët. S’kemi vendim pezullimi, kur të shqyrtohet do të respektohet vendimi i GJK.
Këto janë mendime personale apo të një grupi të caktuar. Rendi i ditës nuk mund të ndryshojë gjatë ditës së seancës vetëm sepse kemi bllokim fizik të foltores, do të ishte fundi i parlamentarizmit.
Ju e Balla s’keni asnjë tagër të vendosni rendin e ditës të seancës pasardhëse. Keni të drejtë të propozoni, marr si të bazuar në rregulloren propozimin e Ballës për shtyrjen e pikave të kësaj seance ditën e enjte. Jam i detyruar ta hedh në votim të hapur me karton”, tha Peleshi.


