Mori azil në Spanjë, Venezuela ofron 100 mijë dollarë shpërblim për arrestimin e kandidatit për president

Qeveria e Venezuelës ka ofruar një shpërblim prej 100,000 dollarësh për informacionin që çon në arrestimin e kandidatit presidencial të opozitës, Edmundo Gonzalez, i cili ndodhet në arrati. Ai u largua nga vendi në shtator dhe mori azil politik në Spanjë pasi autoritetet e Venezuelës urdhëruan arrestimin e tij, duke e akuzuar Gonzalez për komplot dhe për falsifikim dokumentesh.
Gonzalez ishte zotuar se do të kthehej në Venezuelë përpara inaugurimit të Presidentit Nicolás Maduro të premten e ardhshme, duke akuzuar qeverinë për manipulim të votave.
Menjëherë pas shpalljes së shpërblimit, Gonzalez deklaroi se po udhëtonte për në Argjentinë për të filluar një turne në Amerikën Latine, ku do të takohet me presidentin Javier Milei, të shtunën.
Numri i votave ka qenë në qendër të mosmarrëveshjes se kush i fitoi zgjedhjet.
Këshilli Kombëtar Zgjedhor (CNE) i lidhur me qeverinë shpalli fitues presidentin aktual, Maduro, por nuk arriti të sigurojë numrin e votave për të mbështetur pretendimin e tij.
Opozita, e cila me ndihmën e dëshmitarëve të akredituar të zgjedhjeve mblodhi dhe publikoi më shumë se 80% të numërimit të votave, thotë se këto dëshmojnë se kandidati i saj, González, ishte fituesi.
Gonzalez nuk ishte shumë i njohur në Venezuelë kur u regjistrua si kandidat për zgjedhjet presidenciale të vendit në mars.
Ai nuk kishte kandiduar kurrë më parë për poste publike dhe nuk ishte as i njohur në qarqet opozitare.
Por, disa muaj pasi vendosi të kandidojë për postin e lartë, ish-diplomati e kaloi Maduron në sondazhet e opinionit.


