“Kishte të rinj të djegur, të mbuluar në gjak”/ 58-vjeçarja tregon MESAZHIN e të birit nga lokali ku 40 vetë humbën jetën: Ka zjarr...

Bota

“Kishte të rinj të djegur, të mbuluar në gjak”/

Nuk mbaj mend të ketë ndodhur ndonjëherë diçka e tillë. Në Crans-Montana kam shtëpi prej gati 30 vitesh dhe shpesh vij për festa me familjen time”. Kështu është shprehur 58-vjeçarja, Dalia Gubbay, e cila tashmë është në gjendje shoku.

Edhe Viti i Ri 2026 nuk bëri përjashtim për 58-vjeçaren dhe familjen e saj shumë të madhe: gjashtë fëmijë, një bashkëshort, shumë kunetër e të afërm.

Një nga djemtë e saj, Samueli, ishte me bashkëshorten duke festuar ardhjen e Vitit të Ri në një shtëpi vetëm pak metra larg lokalit “Le Constellation”, ku natën e 1 janarit 2026 ndodhi një zjarr me shpërthim që shkaktoi vdekjen e të paktën 40 personave dhe plagosjen e rreth njëqind të tjerëve. Aktualisht disa familje italiane janë në kontakt me Farnesinën, pasi nuk po arrijnë të lidhen me fëmijët e tyre.

Çfarë ka parë djali juaj Samuel sonte?

“Ishte në këtë apartament, pikërisht pas lokalit, po festonte Vitin e Ri me gruan dhe rreth orës 1:30 të natës panë zjarrin që vinte nga ‘Constellation’. Më shkroi menjëherë: ‘Mami, ka rrëmujë te Constellation, ka zjarr!’, pastaj më dërgoi foto dhe video. Ishin tronditëse. Nusja ime ka parë edhe njerëz të djegur, çarçafë të bardhë që vendoseshin mbi trupa…”.

A njihni dikë që ishte mbrëmë në lokal?

“Që nga ora 8 e mëngjesit telefoni im po shpërthen nga mesazhet dhe kam marrë shumë telefonata. Shumë njerëz po më shkruajnë sepse nuk po arrijnë të gjejnë fëmijët e tyre”.

Edhe italianë?

“Po, në Crans-Montana vijnë shumë italianë, por jo vetëm: kam miq zviceranë, francezë… E di që një djalë 15-vjeçar është aktualisht i shtruar në terapi intensive në spitalin e Lozanës. Prindërit janë aty me të. Një mike franceze më ka shkruar se nuk po e gjen dot vajzën e saj. Nuk dua as ta mendoj”.

Çfarë lloj lokali është ‘Constellation’?

“Dikur ishte një lokal shumë në modë, vitet e fundit pak më pak. Por është shumë i njohur në zonë, shumë i frekuentuar. Shpesh shkohet për të parë ndeshje. Mbrëmë kishte këtë festë me të rinj shumë të vegjël, nën 17 vjeç, ishin shumë”.

Nga Milano vijnë edhe dëshmi të tjera. Si ajo, e mbledhur nga Giuseppe Guastella, e një arkitekteje milaneze 60-vjeçare që kërkon të mbetet anonime, edhe ajo me pushime në Crans-Montana, “vendpushim që e frekuentoj prej shumë vitesh”. “Kam dy fëmijë – tregon ajo – dhe mbrëmë kisha frikë se mos ishin aty, sidomos vajza ime. Pastaj, për fat, i gjeta”.

Gruaja rreth orës 1:30 doli nga shtëpia dhe kaloi para lokalit ende përpara se të mbërrinin ndihmat:

“Pashë zjarrin brenda lokalit, xhamat ishin ende të paprekur dhe brenda ishin këta të rinj që përpiqeshin të dilnin; ende nuk kishte asnjë mjet shpëtimi”. Brenda pak minutash, skena që iu shfaq para syve ishte ndër më tronditëset: “Pashë një djalë që më kaloi rrugën dhe kishte vetëm të brendshme, ishte plotësisht i djegur, me flokët e djegura dhe lëvizte si një zombi pa një drejtim. Pak më tutje kishte një djalë të ulur në tokë, i palëvizshëm, me duart e përgjakura”.

Ndihmat, tregon arkitektja, “erdhën disa minuta më vonë. Unë e kalova gjithë natën duke telefonuar miqtë; të gjithë po kërkonim fëmijët tanë”.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion