Kina zbulon depozitën gjigante të arit, vlera mbi 166 miliardë euro

Bota

Kina zbulon depozitën gjigante të arit, vlera mbi 166 miliardë

Kina ka zbuluar një prej burimeve më të mëdha të arit të regjistruara ndonjëherë, në provincën Liaoning, të cilin autoritetet e kanë cilësuar si më të madhin që prej vitit 1949.

Zbulimi, i bërë publik nga Ministria e Burimeve Natyrore të Kinës, vjen pas disa gjetjeve të tjera të rëndësishme gjatë muajve të fundit, por ky i fundit tejkalon çdo rekord.

Sipas të dhënave zyrtare, në nëntokën e zonës Dadonggou gjenden 1.444 ton ar i pastër, të përftuar nga rreth 2.586 milionë tonë mineral, me një pastërti mesatare prej 0.56 gram për ton.

Me çmimin aktual të arit, i cili ka arritur nivele historike këtë vit, vlera totale e depozitës llogaritet rreth 166 miliardë euro, rreth 20 herë sa buxheti vjetor i Shqipërisë.

Projekti i kërkimit dhe analizimit të strukturës minerale zgjati 15 muaj dhe u zhvillua nga Grupi Gjeologjik dhe Minerar i Liaoningut, duke përfshirë rreth një mijë ekspertë e teknikë.

Ministria e përshkroi burimin si “ultra të madh” dhe të një ligji relativisht të ulët, por me sasi kolosale që e kthejnë në një aset strategjik kombëtar. Vendndodhja e saktë nuk është bërë publike, duke nxitur spekulime mbi arsyet strategjike.

Zbulimi vjen në një moment kur ari ka shënuar rritje të fortë prej mbi 50% këtë vit, duke e bërë atë një prej metaleve më të kërkuara globalisht.

Vetëm në vitin 2024, Kina ka gjetur mbi 1.000 ton ar në rajonin e Hunanit, duke rritur ndjeshëm kapacitetet e saj në eksplorimin e nëntokës. Ky zbulim e forcon edhe më tej pozitën e Pekinit si fuqi kryesore në tregun global të arit.

ME TE LEXUARAT