Kaos në SHBA/ Qeveria amerikane mbyllet pas përplasjeve të Trump dhe demokratëve

Bota

Kaos në SHBA/ Qeveria amerikane mbyllet pas përplasjeve të Trump

Për herë të parë në shtatë vite, qeveria federale e SHBA është futur zyrtarisht në një mbyllje administrative, pas dështimit të Kongresit për të arritur një marrëveshje mbi buxhetin.

Përplasjet mes republikanëve të mbështetur nga Donald Trump dhe demokratëve penguan miratimin e një projektligji të përkohshëm. Si pasojë, miliona punonjës federalë përballen me pezullime, vonesa pagash dhe pasiguri për të ardhmen.

Senati amerikan rrëzoi fillimisht një propozim të paraqitur nga demokratët, e më pas refuzoi edhe projektligjin e përkohshëm të miratuar nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili parashikonte financimin e përkohshëm të administratës deri më 21 nëntor.

Presidenti Trump ka paralajmëruar se kjo mbyllje, e nxitur nga mungesa e fondeve për degën ekzekutive, do të pasohet nga shkurtime të mëtejshme të fuqisë punëtore federale.

Ndërkohë, disa sindikata kanë ngritur padi ndaj administratës, duke akuzuar Zyrën e Menaxhimit dhe Buxhetit për keqinterpretim të ligjit që rregullon mbylljet qeveritare.

Sipas tyre, një memo e dërguar nga kjo zyrë u ka kërkuar agjencive të “shfrytëzojnë këtë mundësi” për të vlerësuar shkurtimet e vendeve të punës.

Tensionet janë rritur edhe në sektorin e mbrojtjes. Pentagoni, i riemërtuar së fundmi si Departamenti i Luftës, ka shprehur gatishmëri për “luftë”.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se do të punojë për të riparuar “dekada degradimi” në Forcat e Armatosura Amerikane, duke akuzuar politikanët për paaftësi dhe papërgjegjshmëri.

Aktualisht, nuk ka një zgjidhje në horizont për ngërçin buxhetor, duke shtuar pasigurinë politike dhe ekonomike në vend.

ME TE LEXUARAT