Qëlloi me armë në darkën e Trump, del në gjykatë 31-vjeçari për tentativë vrasjeje të presidentit, rrezikon burgim të përjetshëm

Cole Allen, 31-vjeçari i akuzuar për të shtënat gjatë darkës së korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, është paraqitur para gjykatës këtë javë për t’u njohur me akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Sipas autoriteteve amerikane, Allen akuzohet për tentativë vrasjeje ndaj ish-presidentit Donald Trump. Gjatë seancës, gjykatësi bëri me dije se nëse shpallet fajtor, ai rrezikon dënimin maksimal me burgim të përjetshëm.
Ndaj tij janë ngritur edhe akuza të tjera të rënda, mes tyre përdorimi i armës së zjarrit gjatë një krimi të dhunshëm, si dhe transportimi i armëve dhe municioneve përmes kufijve ndërshtetërorë me synim kryerjen e një vepre penale.
Sipas policisë, 31-vjeçari nga Torrance i Kalifornisë u ndalua i armatosur me një pushkë gjahu, një pistoletë dhe disa thika. Autoritetet sqaruan se ai nuk kishte precedentë penalë dhe nuk kishte qenë më parë në radarët e agjencive ligjzbatuese.
Allen mbahet aktualisht në paraburgim dhe ende nuk ka paraqitur deklarim fajësie. Seanca për masën e sigurisë është caktuar për të enjten, ndërsa seanca paraprake pritet të zhvillohet më 11 maj.


