E pabesueshme! 97-vjeçarja nga Belfast thyen rekord në vrap, vetëm 4 javë pas operacionit në zemër

Grace Chambers, 97 vjeçe, ka hyrë në histori si Parkrunner-i më i moshuar në Europë që ka arritur 250 pjesëmarrje, duke përfunduar 5 kilometrat në Ormeau Park, Belfast. E pabesueshmja është se Chambers iu nënshtrua një operacioni në zemër vetëm katër javë më parë, por kjo nuk e pengoi të përfundonte garën e së shtunës.
Ajo nisi Parkrun në vitin 2016, kur një anëtar i ekipit të saj të rehabilitimit i sugjeroi aktivitetin si mënyrë për t’u mbajtur aktive. Që atëherë, Grace ka thyer rekorde në kategorinë e moshës së saj dhe ka fituar respektin e qindra vrapuesve nga e gjithë Irlanda e Veriut. Edhe gjatë pandemisë, kur Parkrun u pezullua, ajo vazhdoi të vraponte vetë çdo javë, duke regjistruar kohët e saj.
Madje as një këmbë e thyer nuk e ndali. Sot, dy miket e saj, Cathy dhe Sue, e shoqërojnë në çdo garë fundjavore. Në nder të saj, pranë vijës së finishit është vendosur një stol me mbishkrimin: “Grace’s Bench, Park runner extraordinaire”, ku ajo pozon për fotografi me adhuruesit.
Personalitete të njohura, përfshirë kampionen olimpike Dame Kelly Holmes, kanë ardhur ta takojnë dhe vrapuar krah saj. Doktori që i zëvendësoi valvulën e zemrës, kardiologu Jonny Mailey, e përshkroi Chambers si “fantastike” dhe një testament të forcës së saj.
Organizatorët e Parkrun e cilësojnë Grace si “legjendë lokale”, ndërsa deputetja Claire Hanna tha: “Urime të paimitueshmes Grace. Ajo është frymëzim për shumëkënd.” Vetë Chambers e merr me thjeshtësi këtë arritje: “Shumë njerëz bëjnë gjëra më të jashtëzakonshme se kjo. Por nëse unë frymëzoj dikë tjetër të fillojë vrapin, atëherë është fantastike.”


