I zhvati qindra mijëra euro një 90-vjeçari dhe bleu banesë me paratë e tij, nisin hetimet për 50-vjeçaren shqiptare

Bota

I zhvati qindra mijëra euro një 90-vjeçari dhe bleu banesë

Një 50-vjeçare shqiptare, e cila prej vitesh jeton në Itali, është vënë nën hetim nga autoritetet në Ravenë, pasi dyshohet se ka përfituar nga gjendja e një 90-vjeçari, duke i zhvatur qindra mijëra euro. Sipas Prokurorisë italiane, me një pjesë të këtyre parave ajo ka blerë edhe një banesë.

Mediat italiane shkruajnë se, në kuadër të hetimeve, autoritetet kanë sekuestruar banesën e saj dhe llogaritë bankare, ndërsa gruaja akuzohet për mashtrim të rënduar dhe përfitim nga paaftësia e viktimës për të gjykuar.

Sipas mediave italiane, historia mes tyre kishte nisur vite më parë, kur njiheshin për shkak të punës. Më pas kontaktet ishin ndërprerë, por pas vdekjes së bashkëshortes së 90-vjeçarit, ai e takoi sërish shqiptaren dhe krijoi një marrëdhënie me të.

Hetimet kanë zbuluar se gjatë kësaj periudhe, 50-vjeçarja i fliste vazhdimisht të moshuarit për vështirësitë e saj ekonomike, duke pretenduar se nuk kishte mundësi të paguante faturat dhe shpenzimet mujore. Fillimisht ai e ndihmoi me shuma të vogla, por me kalimin e kohës transfertat u rritën ndjeshëm, duke arritur deri në 12 mijë euro në muaj. Sipas akuzës, ai financoi edhe blerjen e një banese për gruan.

Marrëdhënia mes tyre mbetet ende e paqartë edhe për familjarët e të moshuarit. Sipas Prokurorisë së Ravenës, gruaja nuk u kufizua vetëm te kërkesat për ndihmë ekonomike, por dyshohet se e manipuloi dhe përfitoi nga gjendja e tij mendore për të marrë shuma të konsiderueshme parash.

Hetimi nisi pas një sinjalizimi të bërë nga gjykata, pasi djali i 90-vjeçarit kishte kërkuar vite më parë ndryshimin e administratorit mbështetës të të atit. Gjatë verifikimeve, gjyqtari civil konstatoi një administrim të pazakontë të pasurisë së të moshuarit, me mijëra euro që transferoheshin rregullisht në llogaritë e një gruaje që nuk ishte pjesë e familjes.

Pas vdekjes së 90-vjeçarit në vitin 2025 për shkaqe natyrore, policia gjeti në banesën e tij dorëshkrime dhe dokumente të tjera, të cilat, sipas autoriteteve, përforcuan dyshimet ndaj 50-vjeçares shqiptare.

Hetimet vijojnë, ndërsa Prokuroria italiane po punon për të dokumentuar të gjithë dëmin ekonomik që dyshohet se i është shkaktuar të moshuarit.

ME TE LEXUARAT