Britania do të dërgojë trupa dhe pajisje ushtarake në Belgjikë pas ndërhyrjeve me dronë të dyshuara ruse

Bota

Britania do të dërgojë trupa dhe pajisje ushtarake në

Ushtria britanike do të ndihmojë në forcimin e mbrojtjes ajrore të Belgjikës pas një serie ndërhyrjesh me dronë në hapësirën e saj ajrore, që dyshohet se janë kryer nga Rusia.

Personeli dhe pajisjet ushtarake britanike janë nisur drejt Belgjikës, pas një kërkese të bërë në fillim të javës nga homologu belg i kreut të forcave të armatosura britanike, Sir Richard Knighton. Ai konfirmoi në një intervistë për BBC-në se dërgimi i ndihmës është tashmë në zhvillim.

“Sekretari i Mbrojtjes dhe unë ramë dakord të dërgojmë njerëz dhe pajisje për t’i ndihmuar ata,” – tha Sir Richard, duke shtuar se dislokimi është pjesë e angazhimit të përbashkët të NATO-s për sigurinë rajonale.

Incidentet me dronë shkaktuan mbylljen e përkohshme të aeroportit ndërkombëtar të Zaventem të enjten në mbrëmje, ndërsa pamje të tjera u raportuan pranë një baze ushtarake.

Edhe pse Sir Richard nuk konfirmoi se dronët janë dërguar nga Rusia, ai e quajti “të besueshme” mundësinë që ato të jenë porositur nga Moska. Belgjika do të mbështetet me “pajisje dhe kapacitete të avancuara” nga Britania, përfshirë mjete zbulimi dhe sisteme kundërdronësh.

Në një artikull për Sunday Telegraph, kreu i ushtrisë britanike paralajmëroi se bota po bëhet “gjithnjë e më pak e sigurt”, duke kujtuar pushtimin rus të Ukrainës:

“Ky konflikt na kujton se paqja nuk është kurrë e garantuar. Ajo duhet të mbrohet, ndonjëherë me kosto të madhe.”

Ndërkohë, rreth 3,000 pasagjerë të Brussels Airlines u prekën nga anulimi ose devijimi i fluturimeve, duke shkaktuar kosto të konsiderueshme për kompaninë ajrore.

Zyrtarë belgë dhe gjermanë kanë ngritur dyshime për përfshirjen e Rusisë, ndërsa Ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken, ka pranuar se ende nuk ka prova konkrete.

“Në fillim menduam se ishte një problem lokal, por tani është kthyer në një kërcënim serioz që prek infrastrukturën civile në shumë vende evropiane,” – tha ai.

Në muajt e fundit, incidente të ngjashme me dronë janë raportuar edhe në Suedi, Norvegji dhe Danimarkë, duke shkaktuar ndërprerje të fluturimeve dhe alarm sigurie.

Ndërkohë, Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka sugjeruar se këto ngjarje mund të lidhen me debatet e Bashkimit Evropian për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të financuar një kredi prej 140 miliardë eurosh për Ukrainën.

Në kuadër të përforcimeve të NATO-s, Britania ka dërguar kohët e fundit avionë luftarakë RAF Typhoon për patrullime mbi Poloni, si pjesë e misioneve mbrojtëse kundër inkursioneve ajrore nga Lindja.

ME TE LEXUARAT