Arkivat ruse nxjerrin sekretin e vdekjes së Adolf Hitlerit: Piu helm dhe më pas u qëllua nga…

Bota

Arkivat ruse nxjerrin sekretin e vdekjes së Adolf Hitlerit: Piu helm dhe

80 vjet pas rënies së Berlinit, dokumente të sapo zbuluara nga arkivat e FSB-së ruse hedhin dritë mbi një version tronditës të vdekjes së Adolf Hitlerit, që bie ndesh me atë që historia e ka konsideruar zyrtare deri më sot.

Sipas këtyre dokumenteve, udhëheqësi nazist mund të mos ketë vrarë veten, por të jetë qëlluar për vdekje nga një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, pas një urdhri të dhënë prej vetë tij.

Sipas dëshmisë së Gjeneral-Lejtnant Hans Rattenhuber, kreut të sigurisë personale të Hitlerit, “Fyhreri” i kishte kërkuar shërbëtorit të tij Heinz Linge ta qëllonte me armë pas gëlltitjes së helmit, duke dyshuar në efektin e tij për shkak të trajtimeve mjekësore të shumta që kishte marrë më parë.

"Linge e qëlloi Hitlerin”, tha Rattenhuber për zyrtarët sovjetikë, sipas dokumenteve.

Megjithatë, kjo dëshmi bie ndesh me versionin e njohur publikisht, ku Linge vetë ka dëshmuar se Hitleri kreu vetëvrasje me armë në bunkerin e tij, së bashku me partneren Eva Braun, për të shmangur kapjen nga sovjetikët. Dokumentet e zbuluara përfshijnë edhe pamje rrëqethëse, përfshirë fotografi të dhëmbëve të kalbur të Hitlerit që u përdorën për identifikimin e trupit të djegur. Gjithashtu, përfshihen detaje të fundit për veshjet që Hitleri dhe Braun kishin veshur ditën e vetëvrasjes, si dhe një analizë të motiveve të Hitlerit për t’i dhënë fund jetës, shkruan “The Sun”.

Një tjetër pjesë e dokumenteve tregon metodat që sovjetikët përdorën për të nxjerrë dëshmi nga bashkëpunëtorët e Hitlerit pas luftës.

Otto Günsche, asistenti personal i Hitlerit, u transferua në Moskë ku autoritetet përdorën një taktikë psikologjike për ta bindur të fliste: ata vendosën në qelinë e tij një tjetër i burgosur, koloneli gjerman Remlinger, i cili kishte për detyrë ta bindte Günschen se me vdekjen e Hitlerit, betimi i besnikërisë ndaj tij nuk kishte më vlerë.

Sipas një raporti të shkruar nga Remlinger, kjo metodë funksionoi: “Ngjarjet në Gjermani, sidomos vetëvrasja e Hitlerit, e çliruan Günsche nga betimi ndaj tij. Ai kuptoi se regjimi kishte rënë dhe e kaluara duhej trajtuar tashmë si pjesë e historisë.”

Në dokumentacionin e FSB-së përfshihet edhe raporti zyrtar i autopsisë, ku thuhet se më 5 maj 1945, trupat sovjetike gjetën trupin e djegur të një burri dhe një gruaje pranë hyrjes së bunkerit në Kancelarinë e Rajhut. Analizat mjeko-ligjore përfunduan më 8 maj, duke konfirmuar identitetin e Hitlerit përmes dhëmbëve dhe përshkrimeve fizike.

Pavarësisht versioneve kontradiktore, dokumentet e publikuara shtojnë më shumë mister rreth vdekjes së një prej figurave më të errëta të historisë moderne, duke ndezur sërish një debat që zgjat prej dekadash: a u vetëvra vërtet Adolf Hitleri, apo u vra në momentet e fundit të jetës së tij?

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion