Akuzohet se tentoi të vriste Trump në darkën me gazetarët, publikohet fotoja e autorit, pozoi para pasqyrës me armë pak para sulmit

Autoritetet amerikane kanë publikuar pamje të reja që tregojnë të dyshuarin Cole Tomas Allen në një dhomë hoteli pak para sulmit me armë gjatë një eventi të darkës së gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington.
Në fotot e siguruara, 31-vjeçari shihet i armatosur dhe duke pozuar para pasqyrës, me pajisje të ndryshme të lidhura në trup, përfshirë armë, thikë dhe municion. Sipas prokurorisë, këto prova janë pjesë e hetimit dhe mbështesin akuzën se sulmi ishte i paramenduar.
Hetuesit thonë se Allen kishte me vete një pistoletë gjysmë-automatike, një armë gjahu me pompë dhe thika, dhe ka kaluar me forcë një pikë kontrolli sigurie gjatë aktivitetit të 25 prillit në Washington Hilton, ku ndodheshin presidenti Donald Trump, zëvendëspresidenti JD Vance dhe zyrtarë të tjerë.
Gjatë incidentit, një agjent i Shërbimit Sekret u plagos lehtë, ndërsa të pranishmit u evakuuan menjëherë pas të shtënave.
Sipas dokumenteve të prokurorisë, Allen kishte studiuar lëvizjet e eventit, kishte kontrolluar informacione online për darkën dhe kishte përgatitur veprimet e tij përpara se të hynte në sallë i armatosur.
Autoritetet e cilësojnë ngjarjen si një sulm të planifikuar dhe të rrezikshëm, ndërsa kërkojnë që ai të mbahet në paraburgim deri në gjykim. Në rast dënimi, ai përballet me burgim të përjetshëm.


