Akuzohen për përgjim dhe përndjekje, SHBA padit 9 agjentë të paligjshëm të Kinës

Bota

Akuzohen për përgjim dhe përndjekje, SHBA padit 9 agjentë

9 persona, të akuzuar se kanë vepruar si agjentë të paligjshëm të Kinës në SHBA, e pësojnë keq. Mësohet se Departamenti i Drejtësisë ka ngritur padi ndaj tyre. Mediat e huaja shkruajnë se ky grup dyshohet se ka përgjuar dhe është angazhuar në një fushatë ngacmimi, përndjekjeje të dy personave me qëndrim të përhershëm në Shteteve të Bashkuara, për t'i detyruar ata të ktheheshin në Kinë.

Sipas Departamentit të Drejtësisë kjo ishte “pjesë e një përpjekjeje globale, të bashkërenduar e të jashtëligjshme për riatdhesim, njohur si operacioni "Gjuetia e Dhelprës”.

"Agjentët e paregjistruar, të një vendi të huaj nuk lejohen të përfshihen në mbikëqyrjen sekrete të atyre që gëzojnë statusin e qëndrimit të përhershëm në SHBA. Veprimet e tyre të paligjshme do të ballafaqohen me forcën e plotë të ligjit amerikan", thuhej në një deklaratë të Jacquelyn M. Kasulis, prokurore në detyrë për Distrikti Lindor të Nju Jorkut.

Të akuzuarit janë Tu Lan, 50 vjeç, Zhai Yongqiang, 46 vjeç, Hu Ji, 46 vjeç dhe Li Minjun, 65 vjeç, të gjithë nga Kina; si dhe Zhu Feng, 34 vjeç, një shtetas kinez me banim në Kuins të Nju Jorkut, Michael McMahon, 53 vjeç, nga Mahëah-i i Nju Xhersit, Zheng Congying, 24 vjeç, nga Bruklini i Nju Jorkut si dhe Zhu Yong, aka Jason Zhu, 64 vjeç, nga Noruiç i Konektikatit. Emri i të pandehurit të nëntë, nuk është bërë ende publik nga autoritetet.

Sipas njoftimit për shtyp, të dyshuarit akuzohen se kanë vepruar "nën drejtimin dhe kontrollin e zyrtarëve kinezë, në një përpjekje për të detyruar kthimin në Kinë të dy personave, emrat e të cilëve nuk janë bërë publik”.

Në deklaratën e Departamentit të Drejtësisë thuhej se rreth vitit 2012 dhe 2014 qeveria kineze kishte arritur që nëpërmjet organizatës ndërkombëtare të policisë “Interpolit” të lëshonte një "alarm të kuq" duke paralajmëruar forcat e sigurisë në të gjithë botën, se të dy këta persona ishin në kërkim në Kinë për përvetësim dhe marrje ryshfeti, krime për të cilat parashikohen dënime maksimale me burgim të përjetshëm e vdekje.

Zyrtarët e Drejtësisë thanë se të nëntë personat ndaj të cilëve janë ngritur padi, ishin pjesë e një fushate ndërkombëtare për të kërcënuar, sulmuar, përgjuar e frikësuar të dy këta persona e familjarë të tyre, në mënyrë që t’i detyronin ata të ktheheshin në Kinë./shqiptarja

 

ME TE LEXUARAT