Sulm i koordinuar/ Kamioni me eksploziv goditi rezidencën e tij, vritet ministri i Mbrojtjes në Mali

Ministri i Mbrojtjes i Malit, Sadio Camara, ka humbur jetën pas një sulmi vetëvrasës me kamion-bombë që goditi rezidencën e tij pranë kryeqytetit Bamako, në një operacion të gjerë të dyshuar si i koordinuar nga grupe xhihadiste dhe separatistë.
Sipas autoriteteve dhe televizionit shtetëror, Camara ndërroi jetë në spital nga plagët e rënda, pasi fillimisht kishte arritur të përballej me disa nga sulmuesit. Shpërthimi i fuqishëm shkatërroi rezidencën dhe shkaktoi dëme të mëdha në zonë, përfshirë edhe një xhami pranë vendngjarjes, ku raportohet për viktima civile.
Pas sulmit, situata e sigurisë në vend është përkeqësuar ndjeshëm, me përleshje të raportuara në disa rajone si Kati, Gao, Kidal, Sevare dhe Mopti.
Në veri, separatistët Tuareg pretendojnë se kanë marrë kontrollin e disa zonave, ndërsa grupi i lidhur me Al-Kaedën, JNIM, ka ndërmarrë sulme të njëkohshme në disa pjesë të vendit.
Ushtria maliane ka deklaruar se pjesa më e madhe e territorit është nën kontroll, por ka pranuar se luftimet vijojnë në disa zona. Ndërkohë, është shpallur gjendje alarmi kombëtar, me shtim të patrullimeve dhe vendosje të orës policore në Bamako.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare, me OKB-në, Bashkimin Afrikan dhe organizatat rajonale që kanë dënuar dhunën dhe kanë shprehur shqetësim për përshkallëzimin e situatës në Mali.


