“Asgjë nuk do të jetë më si më parë”… Çfarë e pret Listën Serbe pas humbjes së Vuçiçit?

Lista Serbe nuk është prononcuar pas humbjes së Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiçit në zgjedhjet parlamentare të së dielës në Serbi, në të cilat fitoi Lista Studentore.
Kjo parti, më e madhja e serbëve në Kosovë, u formua në vitin 2013 me mbështetjen e drejtpërdrejtë të SNS-it dhe Vuçiçit, i cili e pranoi humbjen mbrëmjen e 25 tetorit.
Megjithatë, Vuçiçi deklaroi se SNS kishte fituar “kudo ku jetojnë serbët në rajon”, përfshirë edhe Kosovën.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve në Serbi, në vendvotimet ku votuan serbët nga Kosova, lista “Aleksandar Vuçiç– Serbia e Bashkuar” mori rreth 71 për qind të votave, ndërsa Lista Studentore siguroi rreth 21 për qind. Në nivel të Serbisë, megjithatë, Lista Studentore fitoi mbi 52 për qind të votave, ndërsa “Serbia e Bashkuar” e ish-presidentit Vuçiç i mori rreth 39 për qind.
Për Ivan Vuçkoviçin, përfaqësues opozitar të serbëve të Kosovës nga Leposaviqi, këto rezultate nënkuptojnë se “asgjë nuk do të jetë më si më parë”.
“Liria po na vjen nga Beogradi”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë (REL).
Vuçkoviç dhe përfaqësues të tjerë opozitarë të serbëve në Kosovë e fajësojnë Listën Serbe dhe Vuçiçin për përkeqësimin e pozitës së komunitetit serb.
Ata besojnë se pushteti i deritashëm në Serbi, përmes Listës Serbe, ua ka “dorëzuar” institucioneve të Kosovës institucionet serbe dhe kompetencat që Beogradi ushtronte më parë.
Aktualisht, në zonat me shumicë serbe në Kosovë, në kuadër të sistemit të Serbisë funksionojnë vetëm institucionet arsimore dhe shëndetësore.
“Pas kësaj tradhtie të madhe, si pasojë e së cilës nuk na ka mbetur pothuajse asgjë nga Serbia në Kosovë e Metohi, do të jetë shumë e vështirë”, thotë Vladimir Radosavleviq nga Demokracia Serbe nga veriu i Kosovës, parti opozitare në nivel lokal.
Çfarë do të ndodhë me Listën Serbe?
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Listës Serbe për koment pas publikimit të rezultateve të para preliminare në Serbi, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Në zgjedhjet e qershorit në Kosovë, Lista Serbe fitoi nëntë nga dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvend, ndërsa një mandat e siguroi Nenad Rashiç nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë. Rashiçi, i cili është ministër në Qeverinë e Albin Kurtit, e mbështeti Lëvizjen Studentore në zgjedhjet në Serbi.
Ai vlerëson për REL-in se bashkëpunimi i Listës Serbe me pushtetin e ri në Serbi nuk është i mundur.
Rashiç nuk e përjashton mundësinë që Partia Përparimtare Serbe tani t’i kërkojë Listës Serbe të tërhiqet, përkatësisht që përfaqësuesit e saj të japin dorëheqje nga pozitat që mbajnë.
“Kjo mund të jetë një nga mundësitë, por nuk pres që ata të veprojnë në mënyrë morale dhe ta bëjnë një gjë të tillë. Ata janë në pushtet në nivel lokal sepse SNS-i i ka vendosur në ato pozita me të gjitha mënyrat e mundshme”, thotë Rashiçi.
Lista Serbe udhëheq aktualisht të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Zyrtarët e saj drejtojnë gjithashtu institucione të Serbisë në Kosovë. Një prej tyre është kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, i cili udhëheq Qendrën Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut.
Edhe Ivan Vuçkoviç, asamblist në Kuvendin Komunal të Leposaviqit, beson se bashkëpunimi ndërmjet Listës Serbe dhe Qeverisë së re të Serbisë nuk është i mundur.
“Jam i bindur se ata do të shpërbëhen në ditët në vijim. Nga ana tjetër, ata nuk mund të funksionojnë pa mbështetjen e Beogradit”, thotë ai.
Të njëjtin mendim e ndan edhe Vladimir Radosavleviç, po ashtu asamblist në Leposaviq, në veri të Kosovës. Ai konsideron se Lista Serbe nuk mund të mbetet në pushtet në Kosovë, sepse, siç thotë, në të kundërtën “e gjithë lufta do të kishte qenë e kotë”.
Edhe partia e tij i ka mbështetur Listën Studentore dhe protestat e organizuara nga studentët.
“Si dikush që ka qenë me studentët që nga fillimi, e di se ata nuk do ta pranojnë kurrë bashkëpunimin me Listën Serbe, bërthamën e fortë të SNS-it në Kosovë. Ata kanë qenë bashkëpjesëmarrës të drejtpërdrejtë të Aleksandar Vuçiçit në tradhtinë e madhe ndaj Kosovës e Metohisë. Shkurt, atyre u ka ardhur fundi dhe së shpejti do të japin llogari për gjithçka që kanë bërë”, thotë Radosavleviq për REL-in.
Sa i përket Kosovës, Lista Studentore ka deklaruar se do të veprojë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, e cila e konsideron Kosovën pjesë përbërëse të saj.
Lista Studentore nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse do të bashkëpunojë me Listën Serbe, përfshirë në nivel institucional, dhe cili është qëndrimi i saj për bashkëpunimin e ardhshëm me Qeverinë e Kosovës.
Çfarë presin serbët e Kosovës nga pushteti i ri?
Ivan Vuçkoviç ngre pikëpyetje për mënyrën se si janë menaxhuar fondet që Serbia ka dërguar në Kosovë, duke pretenduar se Lista Serbe ka bërë abuzime të shumta.
Lëvizja politike studentore në Serbi lindi nga protestat e studentëve, në qendër të të cilave ishte lufta kundër korrupsionit.
Vuçkoviç beson se kjo çështje duhet të jetë prioritet për pushtetin e ri edhe kur bëhet fjalë për Kosovën, veçanërisht për investimet nga buxheti i Serbisë në zonat me shumicë serbe. Në këtë kontekst, ai thotë se përfaqësuesit e Listës Serbe “mund të kërkojnë azil politik në Kosovë”, pasi beson se në Serbi mund të përballen me akuza për shumë vepra penale.
“Jam i sigurt se edhe këtu [në Kosovë] do të ketë ndryshim të pushtetit”, thotë ai.
Vuçkoviç nuk pret ndryshime të mëdha sa u përket kompetencave të Serbisë në Kosovë, por shpreson se autoritetet e reja në Beograd do të reagojnë për t’i mbrojtur institucionet e mbetura serbe.
“Të mund të llogarisim në mbështetjen e Serbisë në aspektin financiar, në mënyrën më reale dhe më të drejtë. Disa gjëra thjesht kanë marrë fund, por shpresoj që pushteti i ri do të arrijë t’i korrigjojë disa gabime të pushtetit të mëparshëm, sa i përket asaj se kush i udhëheq institucionet, mbështetjes dhe shpërndarjes së fondeve”, thotë Vuçkoviçi.
Ndërkaq, Vladimir Radosavleviç shpreson se pushteti i ri në Serbi do të tregojë më shumë mirëkuptim për serbët e Kosovës dhe do t’u mundësojë atyre të kenë më shumë ndikim në vendimet që prekin jetën e tyre.
“Që ne të vendosim për fatin tonë”, thotë ai. “Lista Studentore nuk ka nevojë të bëjë asgjë të jashtëzakonshme. Mjafton të emërojë drejtues të aftë dhe të ndalojë vjedhjen e qindra milionë eurove, të cilat çdo vit përfundojnë në xhepa privatë, në vend se të shkojnë në zonat serbe në Kosovë. Kjo do ta zvogëlonte ndjeshëm largimin e serbëve nga Kosova, që ka marrë përmasa marramendëse”, thotë Radosavleviç.
Milliçeviç: Pushteti i ri në Serbi do ta rishqyrtojë rolin e Listës Serbe
Drejtori i organizatës joqeveritare Aktiv, Miodrag Milliçeviç, thekson se Lista Serbe, nga pikëpamja formale dhe ligjore, është pjesë e sistemit politik të Kosovës dhe se rezultatet e zgjedhjeve në Serbi nuk ndikojnë drejtpërdrejt në statusin e saj.
Megjithatë, ai thotë se realiteti politik është ndryshe, pasi Lista Serbe në praktikë ka funksionuar si degë e Partisë Përparimtare Serbe në Kosovë.
Sipas tij, ndryshimi i pushtetit në Beograd do të ngrejë pikëpyetje për mënyrën se si do të funksionojë kjo parti në të ardhmen.
“Sa i përket politikave, do të ketë hapësirë për një rishikim rrënjësor. Nuk e kam fjalën për ristrukturimin e Listës Serbe, por për një rishikim rrënjësor të politikës ndaj Kosovës, që do t’i përfshijë edhe përfaqësuesit e Listës Serbe. Do të shtrohet pyetja nëse ata i kanë keqpërdorur pozitat e tyre në sistemin serb gjatë kohës kur në pushtet ishte Partia Përparimtare Serbe”, thotë Miliçeviq. Ai vlerëson se çështja e Kosovës nuk është ndër prioritetet kryesore të Listës Studentore, por pret që një pjesë e strukturave të saj të merret me këtë temë.
Sipas Milliqeviqit, gjatë viteve të fundit Beogradi i ka lënë serbët e Kosovës në një vakum ligjor dhe të sigurisë.
Shoqëria civile serbe në Kosovë e kishte kritikuar nismën e Listës Serbe që serbët të largoheshin nga institucionet e Kosovës në vitin 2022.
Në të njëjtën kohë, ajo kishte kritikuar edhe veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat kryesisht i kishte vlerësuar si të njëanshme dhe diskriminuese.
Në vitin 2024, Qeveria e Kosovës nisi mbylljen e institucioneve të Serbisë dhe paralajmëroi integrimin e institucioneve serbe të shëndetësisë dhe arsimit në sistemin e Kosovës, me arsyetimin se funksionimi i dy sistemeve paralele është i paqëndrueshëm.
Bashkësia ndërkombëtare, nga ana tjetër, ka këmbëngulur se hapa të tillë duhet të ndërmerren në kuadër të dialogut dhe në konsultim me komunitetin serb./ REL


