AL JAZEERA pasqyron protestën e 28 Nëntorit në Tiranë: Mijëra shqiptarë në rrugë kundër korrupsionit

Protesta antiqeveritare e zhvilluar më 28 Nëntor në Tiranë ka marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Media prestigjioze “Al Jazeera” i ka kushtuar një artikull revoltës qytetare, ku mijëra shqiptarë dolën në rrugë për të protestuar kundër qeverisë dhe për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.
Në artikull pasqyrohen përplasjet mes protestuesve dhe Policisë, ku efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për të shpërndarë turmën, ndërsa demonstruesit hodhën gurë dhe bomba molotov drejt institucioneve shtetërore.
“Al Jazeera” thekson se protesta nisi në mënyrë paqësore, por më pas situata u përshkallëzua, me grupe protestuesish që dëmtuan xhamat e disa institucioneve përgjatë bulevardit kryesor të kryeqytetit.
Media ndërkombëtare ndalet edhe te arsyet që kanë nxitur pakënaqësinë qytetare, duke përmendur korrupsionin e dyshuar, vështirësitë ekonomike, gjendjen e sistemit shëndetësor dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë.
Artikulli sjell edhe dëshmi të qytetarëve që morën pjesë në protestë, mes tyre shqiptarë të ardhur nga jashtë vendit.
"Erdha këtu posaçërisht për protestën", tha për Associated Press Arian Lleshi, një 33-vjeçar që udhëtoi për në Tiranë nga Mbretëria e Bashkuar.
"Pse? Sepse kemi vuajtur për një kohë shumë të gjatë. Jemi përhapur nëpër Evropë dhe në mbarë botën, dhe është pothuajse sikur të jemi qytetarë pa shtet. Jemi si qytetarë pa shtetësi".
Ndërsa banorja e Tiranës, Suzana Gjeta, pensioniste, u shpreh për AP-në se po protestonte për të rinjtë dhe për pensionistët që përballen me vështirësi ekonomike.
"Shpresojmë që ky sistem të zhduket, që Edi Rama të zhduket dhe që ky korrupsion të marrë fund", tha ajo.
Në artikull përmendet gjithashtu qëndrimi i Bashkimit Evropian, i cili ka kërkuar hetim për përdorimin e mundshëm të forcës së tepruar nga Policia dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet.
“Al Jazeera” e cilëson protestën e 28 Nëntorit si pjesë të një serie demonstratash antiqeveritare që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.


