Zjarri në Malin e Krujës/ Banorët kthehen në shtëpi, pasi kanë kaluar natën jashtë

Pas një nate të gjatë ankthi dhe frike, banorët e lagjes “Varosh” në Krujë janë rikthyer në banesat e tyre, pasi zjarri masiv që kërcënoi zonat e banuara është vënë nën kontroll.
Për orë të tëra, banorët qëndruan jashtë shtëpive, ndërsa flakët iu afruan banesave. Me përmirësimin e situatës, ata janë rikthyer për të parë nëse shtëpitë e tyre kishin pësuar dëme.
Banorët kanë shprehur mirënjohjen e tyre për zjarrfikësit, Forcat e Armatosura, Policinë dhe të gjitha strukturat që punuan gjatë natës për të izoluar flakët dhe për të mbrojtur banesat.
Ndërkohë, pavarësisht qetësimit të situatës pranë zonave të banuara, vijon monitorimi i territorit të malit të Krujës, ku disa vatra mund të riaktivizohen për shkak të temperaturave të larta dhe kushteve të thata.