Zjarrfikësit heronjtë në 'luftën' me flakët, por nuk paguhen! Në Vlorë prej dy muajsh nuk kanë marrë pagën për orët shtesë

Zjarrfikësit janë 'heronjtë' e këtyre ditëve të vështira që kanë përfshirë vendin, me flakët që po përhapen nga veriu në jug, por duket se vlerësimi monetar për ta nuk është ai që duhej të ishte.
Mësohet se në Vlorë, një prej qarqeve më të prekur nga zjarret, ku lufta me flakët vijon prej 14 ditësh tashmë, zjarrfikësit nuk kanë marrë pagat e gatishmërisë qe prej dy muajsh.
Për shkak të situatave me zjarret, atyre i është dashur të punojnë dyfishin e orëve, duke rrezikuar dhe jetën, mund dhe lodhje për të cilën nuk janë shpërblyer.
Ata vijojnë të përballen me flakët, pasi vatrat e zjarrit nuk janë shuar ende, ndërsa kushtet e punës kanë qenë shumë të vështira. Në shumë raste, të papajisur me veshjet e posaçme, zjarrfikësit kanë patur 'armë' kundër zjarreve vetëm degë pemësh dhe lopata.

