Ngjarje e rëndë në aeroport: avioni përfshihet nga flakët menjëherë pas uljes, pilotët ishin të dehur

Bota

Ngjarje e rëndë në aeroport: avioni përfshihet nga

Një avion privat është përfshirë nga flakët pasi ka dalë nga pista gjatë uljes në aeroportin ndërkombëtar të Misratës, në Libi. Ngjarja ka shkaktuar ndërprerjen e të gjitha operacioneve të fluturimit dhe mbylljen e hapësirës ajrore të zonës, ndërsa ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit kanë ndërhyrë në vendngjarje.

Bëhet fjalë për një “Cessna Citation Latitude”, me regjistrim TC-AKF, i cili ishte nisur nga Stambolli drejt Misratës. Sipas të dhënave paraprake, avioni kryente një fluturim bosh për t'u vendosur në dispozicion të një zyrtari të lartë libian.

Në bord ndodheshin vetëm tre anëtarë të ekuipazhit dhe nuk kishte pasagjerë. Të tre kanë mundur të dalin nga avioni.

Fillimisht u raportua se në avion mund të ndodhej një figurë e rëndësishme libiane, ndërsa identiteti nuk ishte bërë publik dhe nuk ka të dhëna të konfirmuara për viktima apo persona të plagosur. Autoritetet po hetojnë ende rrethanat që çuan në daljen e avionit nga pista.

Ndërkohë, prokurorët libianë kanë deklaruar se piloti dhe bashkëpiloti dyshohet se drejtonin avionin nën efektin e alkoolit. Të dy janë urdhëruar të qëndrojnë në paraburgim, ndërsa hetimi për shkaqet e aksidentit dhe përgjegjësitë e mundshme vijon.

ME TE LEXUARAT