20 vatra zjarresh në gjithë vendin në 24 orë, katër janë ende aktive, 52 hektarë tokë e djegur

Shqipëria po përballet me një valë zjarresh që nuk po ndalet. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 20 vatra zjarri në të gjithë vendin, ndërsa 4 prej tyre vijojnë të jenë aktive, duke shkaktuar dëme të mëdha në pyje, shkurre dhe bimësi.
Zonat më të prekura:
• Qarku Dibër: Zjarri ka përfshirë Parkun Kombëtar të Lurës, në zonën e “Liqenit të Luleve”, ku flakët po përparojnë në drejtim të Lurës dhe Malit të Dejës. Terreni i thyer dhe erërat po e bëjnë ndërhyrjen tepër të vështirë. 23 forca operacionale dhe 30 efektivë të FA janë në terren.
• Bulqizë: Në zonën e Malit të Peladhisë, një vatër aktive ka djegur mbi 33 hektarë me dushqe dhe shkurre. Ndërhyrja po bëhet në kushte të vështira.
• Mallakastër: Në Drenovë, vatra e zjarrit që u riaktivizua më 14 korrik, ka marrë përmasa të mëdha. Po digjen sipërfaqe me pyll pishe e shkurre dhe ndërhyrja është në vijim.
• Himarë: Në fshatin Borsh, zjarri ka përparuar pranë banesave. MZSH Himarë ka ndërhyrë me pompa shpine, por zjarri është riaktivizuar mëngjesin e sotëm. Në operacion janë angazhuar 4 efektivë të MZSH dhe një helikopter i FA-së.
Bilanci deri tani:
• Rreth 52 hektarë tokë e djegur
• Rreth 90 rrënjë ullinj të shkatërruara
• 275 forca operacionale dhe 32 automjete zjarrfikëse të angazhuara
• Ndihmë nga FA me 30 ushtarë, 2 zjarrfikëse dhe 1 helikopter
Rreziku mbetet i lartë. Sipas IGJEUM, niveli i rrezikut për zjarre sot është “I LARTË” në qarqet Lezhë, Tiranë, Fier dhe Berat. Strukturat e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë, ndërsa qytetarëve u bëhet thirrje të shmangin çdo veprim të pakujdesshëm dhe të njoftojnë urgjentisht shërbimet për çdo vatër të mundshme.


