Zjarret në Dibër, vatra aktive dhe terreni i vështirë pengojnë ndërhyrjen e zjarrfikësve

Situata e zjarreve në qarkun e Dibrës vijon të jetë alarmante, me disa vatra ende aktive dhe me përmasa serioze në disa zona malore. Problematika më e madhe është në rrethin e Matit, ku zjarret në Zall Gjoça po përhapen me shpejtësi dhe kanë përfshirë zona të gjera me bimësi.
Zjarret janë të pranishme në Malin e Dejas, Majën e Tolles, Lurë dhe Malin Allushe, ku forcat zjarrfikëse dhe ato të ushtrisë po përballen me vështirësi serioze për shkak të terrenit të thepisur dhe të paarritshëm me mjete të zakonshme. Ndërhyrja është bërë kryesisht me mjete rrethanore dhe në disa raste nga ajri, por përhapja e flakëve është e shpejtë për shkak të thatësirës dhe erës.
Edhe në Bulqizë situata është e rënduar, veçanërisht në malin “Maja e Lepurit”, ndërsa një tjetër vatër problematike është regjistruar në fshatin Plan i Bardhë, bashkia Klos. Në Qafën e Buallit, zjarret kanë djegur qindra hektarë me pisha, shkurre dhe kullota, por falë ndërhyrjes së forcave të emergjencës dhe ndërhyrjes nga ajri, disa prej vatrave janë izoluar.
Pavarësisht përpjekjeve intensive, situata në Dibër mbetet kritike dhe kërkon mbështetje shtesë për të shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve dhe dëmeve të pakthyeshme në mjedis dhe ekonomi.


