TË SHTËNAT NË JAHTIN NË PALASË/ Policia ushtron kontrolle brenda mjetit luksoz, dështojnë hetimet për gjetjen e armës

Aktualitet

TË SHTËNAT NË JAHTIN NË PALASË/ Policia ushtron

Një incident me armë zjarri pranë bregut të Palasës ka vënë në lëvizje Policinë Kufitare të Vlorës, e cila ka ndaluar për kontrolle një jaht në pronësi të Bruno Çelës, djalit të biznesmenit Geront Çela.

Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se të shtënat janë kryer nga zona pranë detit, ndërsa jahti ndodhej në afërsi të bregut mbrëmjen e së dielës.

Mjeti lundrues kishte mbërritur në Shqipëri nga Italia dhe pas incidentit është regjistruar hyrja e tij në territorin shqiptar, së bashku me të gjithë personat që ndodheshin në bord.

Gjatë kontrollit të kryer nga policia nuk është gjetur asnjë armë zjarri në jaht.

Personat e marrë në pyetje kanë mohuar të kenë qëlluar me armë, ndërsa për të verifikuar versionet e tyre priten rezultatet e ekspertizës për mbetjet e barutit në duar.

Hetuesit po shqyrtojnë disa pista për mënyrën se si kanë ndodhur të shtënat.

Një prej mundësive është që arma të ketë qenë në bordin e jahtit, ndërsa një tjetër pistë lidhet me persona në mjete të tjera lundruese që ndodheshin pranë zonës në ato momente.

Burime pranë policisë bëjnë me dije se në afërsi të jahtit ka pasur edhe mjete të tjera detare, ndaj nuk përjashtohet mundësia që të shtënat të jenë kryer prej tyre.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar autorin, rrethanat e plota të ngjarjes dhe mënyrën se si është përdorur arma.

ME TE LEXUARAT