Zhvati mijëra qytetarë përmes mikrokredive, Gjykata e Lartë ia shuan shpresat per liri biznesmenit Arben Meksuti

Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Arben Meksutit për tu liruar nga qelia. Këtë të mërkurë togat e zeza kanë vendosur të hedhin poshtë rekursin e “bosit” të mikrokredive i cili kishte kërkuar një masë më të lehtë sigurie.
Ai akuzohet për mashtrim me mikrokreditë dhe zhvatjen e mijëra shqiptarëve, përmes skemave të rifinancimit me kushte të këqija të kredive të vjetra apo përmes shantazhimit të tyre duke i bllokuar pronat e luajtshme apo të paluajtshme.
Arben Meskuti është pronar i disa shoqërive financiare që akuzohen se ngritën skemë piramidale dhe SPAK e ka hetimin në proces pas denoncimeve të depozituara.
Hetimi mbi Mikrokreditë nisi pas kallëzimit që Ministria e Drejtësisë bëri në Prokurorinë e Tiranës në vitin 2020.
Nga hetimet u zbuluan 5 shoqëri, Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, të cilat morën nga një bankë e nivelit të dytë 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite, me një shumë totale prej rreth 7.3 milionë euro.
Ndërkohë në dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencën për këtë dosje penale, duke ia deleguar Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).