Zëri i protestës arrin deri në Australi, shqiptarët në Melburn: "Duam patriot, jo piktor”

Protestës kombëtare të qytetarëve në Tiranë i është bashkuar edhe diaspora shqiptare në vende të ndryshme të botës.
Ndër ta edhe komuniteti shqiptar në Melbourne të Australisë, i cili ka zhvilluar një tubim në mbështetje të protestës që po zhvillohet në Shqipëri. Ky është tubimi i 14-të radhazi në kuadër të protestave, të cilat sipas organizatorëve kanë pasur një pjesëmarrje të gjerë në vend.
Në këtë organizim u mblodhën shqiptarë nga e gjithë Australia, si dhe bashkatdhetarë nga Zelanda e Re, të cilët shprehën shqetësimin e tyre për situatën aktuale në Shqipëri dhe kërkuan më shumë përgjegjësi, transparencë dhe drejtësi nga institucionet publike.
Pjesëmarrësit mbajtën pankarta dhe mesazhe kundër korrupsionit, pandëshkueshmërisë dhe keqpërdorimit të pasurive publike. Ata theksuan se pasuritë kombëtare, natyra, prona publike dhe e ardhmja e vendit duhet të mbrohen dhe t’u shërbejnë qytetarëve.
Përmes këtij tubimi, diaspora shqiptare kërkoi luftë reale ndaj korrupsionit, llogaridhënie nga zyrtarët publikë, transparencë në vendimmarrje, drejtësi të barabartë për të gjithë dhe fundin e pandëshkueshmërisë.
Organizatorët deklaruan se qëllimi kryesor i këtij takimi ishte që zëri i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, por që vazhdojnë të kontribuojnë dhe të ndjekin zhvillimet në atdhe, të dëgjohet më fort.
Ata i bënë gjithashtu thirrje shqiptarëve në Shqipëri që të mos dorëzohen dhe të mos bien pre e apatisë apo bindjes se ndryshimi nuk është i mundur.
Edhe pse pas 35 viteve zhgënjimesh dhe premtimeve të pambajtura shumë qytetarë shprehin skepticizëm, pjesëmarrësit në Melbourne përcollën mesazhin se shpresa dhe rezistenca mbeten ende të gjalla.