Nuk ia dha dorën trajnerit kundërshtar, Ilir Daja flet pas ndeshjes me Pafos: Sa herë që ktheja kokën bënte gjeste

Dinamo barazoi 1-1 kundër Pafos në ndeshjen e parë play-off të Conference League dhe faza e ligës do të kalojë nga Qipro, në ndeshjen e javës që vjen. Pas ndeshjes, për Supersport foli trajneri i dinamovitëve, Ilir Daja. Ai tha se Vila, Dita dhe Manellari janë mungesa për ekipin e tij në ndeshjen e kthimit. Trajneri tregoi edhe arsyen se përse në fundin e ndeshjes nuk i dha dorën homologut portugez Sa Pinto. 'Sa herë ktheja kokën bënte vetëm gjeste, nuk dua të merrem'.
"Ekipi duhet të kompletohet, kemi pasur problematikë me disa lojtarë, me gjendjen e viruseve të stinës. 2-3 lojtarë të tjerë i kemi pasur me stërvitje të diferencuar. Pafos është një ekip i ndërtuar me cilësi goxha të mira dhe financa goxha të mira. Lojtarët tanë kanë shpirt sakrifice, në pjesën e dytë kemi qenë superiorë ndaj Pafos.
Goli i pësuar? Një moskujdesi në rastin e penalltisë së dytë, që për mua është e lehtë. Nuk dua të merrem, Dita nuk duhej ndëshkuar me të verdhë, kapiteni komunikon me arbitrin, nuk m'u duk e drejtë. Kemi qenë prezent, kemi pasur rastet tona. Jemi të kënaqur. Kur nivelet e vështirësisë janë kaq të mëdha, me një ekip si Pafos, kjo u pa edhe në ndeshjen me Salzburgun. Nuk kemi humbur shpresat, edhe pse në Qipro do të jetë më e vështirë. Mund të gjejmë ndonjë zgjidhje për të bërë maksimumin atje. Shpresoj të bëjmë diçka të bukur, më mirë t’ia lëmë fushës.
Ajo që ndryshoi në pjesën e dytë, ishte biseda me lojtarët. E kishim pritur Pafosin në këtë mënyrë, pavarësisht se kishte bërë disa ndryshime në lojtarë, por jo në manovër.
Ata bënë 3-4 ndërrime dhe ne i spostuam në kohë. Dihet që ne kemi një 11-she, që një pjesë kanë luajtur bashkë dhe e dinë manovrën, pjesa tjetër ka ardhur këtë verë dhe do kohë të përshtatet.
Dita, Vila dhe Manellari mungojnë - Prandaj më erdhi keq për Ditën, nuk mund t'i jepet aq lehtë kartoni kapitenit për komunikim me arbitrin. Dita është lideri i ekipit që mban shirtin dhe është kapiten edhe në fushë. Edhe Vila ka gjendje të mirë në këtë periudhë. Do të përpiqemi të rikuperojmë sa më shumë të jetë e mundur.
Raporti me trajnerin rival Sa Pinto - Nuk dua ta komentoj, sa herë që ktheja kokën, e shikoja duke bërë gjeste, nuk kam qejf të merrem. Nuk ia dhashë dorën. Nuk kemi pse të bëjmë gjeste gjatë gjithë kohës.
Hekuran Berisha - Nuk kisha pakënaqësi me Berishën, doja vetëm të shkonte te goli. Është djalë i ri, pjesën e finalizimit e ka të mirë, goli do ta çlironte, edhe pse humbi rastet, ka punuar goxha për ekipin. Nëse do të vazhdojë kështu, në një të ardhme jo të largët, do të jetë i gatshëm për të shkuar në kampionat të fortë", tha Daja.


