Përplasja e Ramës me Arjan Konomin në Vuno, PD: Hakmarrje për denoncimet që ka bërë gazetari!

Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me përplasjen e raportuar mes kryeministrit Edi Rama dhe gazetarit Arjan Konomi në Vuno.
Në një deklaratë, sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Viola Kapidani, e cilësoi ngjarjen si një akt “hakmarrjeje primitive” për shkak të denoncimeve të vazhdueshme që ka bërë gazetari për vjedhjet e tokave.
“Shkaku i sulmit të Edi Ramës nuk është thjesht videoja që po bënte gazetari Konomi, por hakmarrja për denoncimet e herëpashershme të tij. Konomi, si personazh publik dhe si banor i Vunoit, ka denoncuar vazhdimisht atë që ai e konsideron si vjedhje të tokave nga vëllezërit Rama në këtë zonë, kryesisht në Gjipe dhe Skutara.”, thotë PD.
Partia Demokratike kërkon gjithashtu reagimin e organizatave për të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes, ndërsa shton se sjellja e kryeministrit tregon se duhet të largohet me çdo kusht nga posti që ai mban.
NGJARJA
Ditën e djeshme gazetari Arjan Konomi deklaroi se ishte përplasur me truprojat dhe forcat e policisë që shoqëronin kryeministrin Edi Rama në Vuno. Ai publikoi një video ku tregonte sesi ka ndodhur i gjithë incidenti, që i kushtoi atij shoqërimin në polici për disa orë.
Sipas tij, shkak i përplasjes me Ramën, bashkëshorten e tij dhe truprojat ka qenë një debat për parkimin e makinave. Konomi tha se nisi të filmonte me telefon dhe pyeti efektivët e policisë se përse nuk po gjobitej edhe automjeti i eskortës së kryeministrit.
Konomi pretendon se më pas pati një përplasje verbale me Linda Ramën. Ai e përshkruan reagimin e saj si të ashpër dhe thotë se, pasi i ofroi disa fiq, ajo iu përgjigj me një shprehje fyese. Më pas, Konomi pretendoi se disa pjesëtarë të sigurisë ndërhynë, i morën telefonin dhe e shoqëruan me një automjet policie drejt Komisariatit të Himarës.
Kryeministri Rama hodhi poshtë versionin e Konomit, duke e quajtur atë një “të përdalë” që bëri “para pasqyrës së tij viktimën e dhunuar”.
REAGIMI I PLOTE I PD:
PD dënon hakmarrjen primitive të çiftit kryeministror ndaj gazetarit Konomi/ Kapidani: Linda dhe Edi Rama sillen si pronarë të Shqipërisë
Deklaratë për media Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Viola Kapidani
Me një akt rrugaçërie dhe hakmarrjeje primitive, Edi Rama, dy ditë më parë, ka sulmuar verbalisht në Vuno, së bashku me bashkëshorten e tij, Linda Rama, figurën e shumënjohur televizive Arjan Konomi, duke e shoqëruar më pas për disa orë në Komisariatin e Himarës.
Siç shpjegon vetë Konomi në videon e bërë pas ngjarjes, ai nuk ishte duke bërë asgjë tjetër, veçse po filmonte vizitën e Ramës në Vuno. Sipas tij, kryeministri i jep të drejtë vetes të zaptojë të gjithë sheshin e fshatit me makinën e tij dhe të truprojave, ndërkohë që vizitorët dhe turistët gjobiten nga policia nëse kryejnë të njëjtin veprim.
Duket qartazi se, shkaku i sulmit të Edi Ramës nuk është thjesht videoja që po bënte gazetari Konomi, por hakmarrja për denoncimet e herëpashershme të tij. Konomi, si personazh publik dhe si banor i Vunoit, ka denoncuar vazhdimisht atë që ai e konsideron si vjedhje të tokave nga vëllezërit Rama në këtë zonë, kryesisht në Gjipe dhe Skutara.
Këtë e tregon më së miri edhe shpërthimi i Linda Ramës. Kjo e fundit, sipas Konomit, ka qenë edhe më aktive në sulmet verbale ndaj gazetarit. Natyrisht, Linda Rama është përfituesja e drejtpërdrejtë e pushtetit dhe privilegjeve që burojnë nga pozita e bashkëshortit të saj si kryeministër, ndërsa denoncimet publike për çështje të lidhura me familjen e saj janë të shumta. Në këtë kontekst, reagimi i saj në mbrojtje të bashkëshortit të saj është “i kuptueshëm”, si hajduti që kërkon të mbrojë hajdutin.
Më pas, sipas dëshmisë së Konomit, truprojat e Ramës, me urdhër të këtij të fundit, i kanë marrë telefonin gazetarit dhe më pas, me një furgon policie, ai është shoqëruar në Komisariatin e Himarës.
Partia Demokratike dënon me forcë këtë akt të shëmtuar të çiftit kryeministror dhe kërkon reagimin e organizatave të të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes.
Edi Rama ka një histori të gjatë përplasjesh me gazetarët dhe kritikët e tij në përgjithësi.
Sjellja e tij prej latifondisti në tokat që ka rrëmbyer është shenja se si duhet larguar me çdo kusht.


