Vrau Arjan Gosën me plumb në kokë, vetëdorëzohet në polici Habib Rexha

Dy ditë pasi vrau Arjan Gosën në Kavajë, autori i dyshuar, Habib Rexha është vetëdorëzuar në Policinë e Kavajës. Ai ekzekutoi Gosën në sy të babait të tij, dhe më pas u arratis nga vendi i krimit.
Ngjarja e rëndë ndodhi në një lokal të Kavajës teksa 48 vjeçari po pinte kafe me të atin. 31-vjeçari Habib Rexha e qëlloi me një plumb në kokë duke e lënë të vdekur në vend.
Sakaq, Habib Rexha është vëllai i Altin Rexhës, i cili mbeti i vrarë dy muaj më parë në Kavajë. Altin Rexha u përfshi në një konflikt me Edmond Gosën në muajin mars, vëllain e Arjan Gosës, dhe pas debatit me fjalë ata vranë njëri-tjetrin. Edmond Gosa e qëlloi me thikë Altin Rexhën, ndërsa ky i fundit e qëlloi me armë zjarri. Asnjëri prej tyre nuk mundi të mbijetonte. Sherri mes tyre nisi për motive banale, ndërsa kjo ngjarje la pas tre të vdekur në vetëm dy muaj.
Kavajë Në vijim të veprimeve kërkimore të kryera nga strukturat e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe ato të DVP Tiranë, për kapjen e autorit të vrasjes së shtetasit A. G., të kryer më datë 21.05.2023, ju informojmë se: Krahas kërkimeve intensive të zhvilluara për kapjen e shtetasit Habib Rexha, strukturat e Policisë negociuan dhe me familjarët me qëllim dorëzimin e këtij shtetasi. Si rezultat i veprimeve kërkimore, pamundësisë së largimit dhe negociatave me familjarët, shtetasi Habib Rexha u vetëdorëzua në Komisariatin e Policisë Kavajë. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.


