Nga kamariere dhe nënë beqare në Mbretëreshë të Norvegjisë, e kaluara e trazuar dhe sfidat e Mette-Marit

Bota

Nga kamariere dhe nënë beqare në Mbretëreshë të

Një epokë e re për monarkinë norvegjeze nis në rrethana të vështira. Pas vdekjes së Mbretit Harald V, të premten, më 28 gusht, në moshën 89-vjeçare, djali i tij, Haakon, ngjitet në fron si Mbret Haakon VIII.

Pesha e trashëgimisë është e madhe. Harald ishte një monark jashtëzakonisht i dashur dhe popullor, aq i afërt me njerëzit sa kishte fituar edhe nofkën jozyrtare “gjyshi i Norvegjisë”. Tashmë djali i tij duhet jo vetëm të vazhdojë këtë trashëgimi, por edhe të drejtojë monarkinë në një periudhë kur popullariteti i saj ka nisur të bjerë.

Në qendër të vëmendjes është, pashmangshmërisht, edhe gruaja që tashmë qëndron në krah të tij si mbretëreshë, Mette-Marit.

Mette-Marit Tjessem Høiby nuk vinte nga një familje apo mjedis që tradicionalisht lidhej me një familje mbretërore evropiane. Ajo u rrit larg aristokracisë, ndërsa babai i saj kishte një të kaluar kriminale. Edhe disa prej marrëdhënieve të saj personale gjatë viteve të rinisë u bënë më vonë objekt i një vëmendjeje të madhe mediatike.

Në vitin 1997, ajo solli në jetë djalin e saj të parë, Marius Borg Høiby. Si nënë e re beqare, ajo punoi, ndër të tjera, edhe si kameriere për të siguruar jetesën e saj dhe të fëmijës.

Dy vite më vonë, në verën e vitit 1999, jeta e saj ndryshoi rrënjësisht. Në një festival muzikor, ajo njohu princin e atëhershëm të kurorës norvegjeze, Haakon. Marrëdhënia e tyre u zhvillua shpejt dhe në dhjetor të vitit 2000 u njoftua fejesa e tyre.

Për shoqërinë norvegjeze të asaj kohe, zgjedhja e mbretit të ardhshëm shkaktoi habi dhe reagime të shumta.

Pak para martesës, Mette-Marit vendosi të fliste publikisht për të kaluarën e saj. Ajo foli hapur për vitet kur ishte pjesë e skenës rave, një mjedis i karakterizuar nga festa të shfrenuara dhe përdorimi i drogës, duke sqaruar se e kishte lënë përfundimisht pas atë periudhë të jetës.

Sinqeriteti i saj nuk mjaftoi për të shuar menjëherë reagimet. Kur çifti u martua në vitin 2001, një pjesë e mediave ndërkombëtare vazhdonte të vinte hapur në pikëpyetje nëse Mette-Marit ishte e përshtatshme për rolin e saj të ardhshëm. Megjithatë, me kalimin e viteve, perceptimi nisi të ndryshonte.

Mette-Marit iu përkushtua gradualisht detyrave të saj mbretërore dhe zhvilloi një aktivitet të rëndësishëm në fushën e bamirësisë dhe çështjeve sociale.

Ndërkohë, ajo dhe Haakon u bënë prindër të dy fëmijëve, princeshës Ingrid Alexandra dhe princit Sverre Magnus.

Gruaja që dikur shihej me mosbesim kishte nisur të konsolidonte pozicionin e saj brenda familjes mbretërore. Megjithatë, vitet e fundit një sërë ngjarjesh e kanë rikthyer jetën e saj personale në qendër të vëmendjes.

Më seriozja lidhet me djalin e saj të madh, Marius Borg Høiby. Që prej vitit 2024, emri i tij është përmendur vazhdimisht në lidhje me autoritetet, ndërsa në vitin 2026 ai u përball, ndër të tjera, me dy akuza për përdhunim.

Høiby u dënua me katër vite burg dhe, në pritje të shqyrtimit të apelit të tij, ndodhet në arrest shtëpie. Çështja e bujshme pati pasoja të pashmangshme edhe për nënën e tij, veçanërisht pas pretendimeve se ajo mund të kishte tentuar ta mbronte atë ose të fshihte informacione gjatë hetimeve.

Në fillim të vitit 2026, një tjetër kapitull nga e kaluara e saj doli në dritë. Në kuadër të publikimit të dokumenteve që lidhen me Jeffrey Epstein, u zbuluan email-e që Mette-Marit kishte shkëmbyer me të.

Zbulimet shkaktuan reagime të forta në Norvegji. Mes mesazheve të bëra publike ishte edhe një email në të cilin ajo i shkruante Epstein: “Të kërkova në Google pas email-it të mëparshëm. Dakord, nuk dukej mirë :)”.

Në mars të vitit 2026, e emocionuar dukshëm, Mette-Marit kërkoi falje publikisht, duke deklaruar se e konsideronte “jashtëzakonisht të rëndësishme” të merrte përgjegjësi për faktin se nuk kishte hetuar më me kujdes të kaluarën e tij.

Ajo tha se nuk e kujtonte se për çfarë i referohej saktësisht në atë mesazh, por theksoi se, nëse në atë kohë do ta kishte kuptuar se bëhej fjalë për një abuzues dhe autor të krimeve seksuale, nuk do ta kishte trajtuar informacionin në atë mënyrë.

Në të njëjtën kohë, pas debateve publike, Mette-Marit po përballej edhe me një betejë shumë personale.

Në vitin 2018, oborri mbretëror norvegjez njoftoi se ajo ishte diagnostikuar me fibrozë pulmonare, një sëmundje kronike që shkakton dëmtime dhe cikatrice në mushkëri, duke vështirësuar gradualisht frymëmarrjen. Deri në pranverën e vitit 2026, gjendja e saj shëndetësore ishte përkeqësuar dhe ajo shfaqej në publik me mbështetje oksigjeni.

Në qershor, Mette-Marit iu nënshtrua një transplanti të mushkërive, duke hapur një kapitull të ri në një vit tashmë jashtëzakonisht të vështirë për të.

Mette-Marit tashmë mban titullin për të cilin, 25 vite më parë, shumëkush besonte se nuk ishte e përshtatshme, ajo është Mbretëresha e Norvegjisë. Por ngjitja në fron nuk nënkupton automatikisht edhe pranimin nga publiku.

Sipas Reuters, një sondazh i fundit i TV2 tregoi se 47.6% e norvegjezëve mendonin se Mette-Marit nuk duhej të bëhej mbretëreshë. Në të njëjtën kohë, popullariteti i familjes mbretërore kishte rënë nga 70% në 60% në shkurt të vitit 2026.

Për Haakon dhe Mette-Marit, rrjedhimisht, trashëgimia e fronit përfaqëson më shumë sesa thjesht një ndryshim personash në krye të monarkisë. Ajo është një provë për marrëdhënien e monarkisë me një shoqëri që duket më e gatshme se kurrë për të vënë në pikëpyetje figurat dhe institucionet e saj.

Për mbretëreshën e re, sfida është edhe më personale. Historia e saj ka qenë jokonvencionale që në fillim, një nënë e re beqare, pa prejardhje aristokratike, e cila ra në dashuri me trashëgimtarin e fronit dhe iu deshën vite për të fituar vendin e saj përkrah tij.

Njëzet e pesë vite më vonë, asaj i duhet të fitojë edhe një herë pranimin e norvegjezëve. Vetëm se këtë herë, ajo e bën këtë si mbretëresha e tyre.

 

ME TE LEXUARAT