Rama mbledh sot të deleguarit për Tiranën dhe deputetët e qarkut, në fokus zbatimi i ‘Besës’ në terren!

Politikë

Rama mbledh sot të deleguarit për Tiranën dhe deputetët e

TIRANË- Kryesocialisti Edi Rama mbledh sot në 11:00 të deleguarit politikë të Tiranës dhe deputetët e qarkut. Takimi vjen një ditë pas mbledhjes në një prej vilave qeveritare në kryeqytet me drejtuesit politikë dhe ministrat, ku në fokus ishte zbatimi në terren i dokumentit “Besa” dhe “Prania Besnike”.

Në mbledhjen e djeshme, Rama u ka kërkuar drejtuesve politikë në qarqe të jenë në krye të këtij procesi dhe të dalin më shumë në zonat e tyre elektorale. Bashkë me strukturat e PS-së, deputetët dhe kryetarët e bashkive, ata do të hartojnë një axhendë takimesh me qytetarët për të evidentuar shqetësimet, si ato individuale, ashtu edhe problematikat e komunitetit, që lidhen me rrugët, mbetjet apo investimet.

Shqetësimet e mbledhura në terren do t'u përcillen ministrive përgjegjëse, ndërsa ndjekja institucionale e tyre deri në zgjidhje do t'i ngarkohet një zëvendësministri.

Kjo është edhe mënyra se si socialistët synojnë të zbatojnë dokumentin “Besa”, i cili vendos në qendër dëgjimin e qytetarëve, ndërsa “Prania Besnike” parashikon një prani më të drejtpërdrejtë të përfaqësuesve politikë në territor.

Në mbledhjen e djeshme u diskutua edhe për ndryshimet ligjore që kërkon platforma e re “Pasqyrë Albania”, e prezantuar nga Rama në Pogradec. Synimi është që në këtë platformë të grumbullohen dhe ndiqen ankesat e qytetarëve të cilat duhet të marrin përgjigje brenda dy javësh.

Platforma do të funksionojë përmes dy mekanizmave: “Flamingo Albania”, që do të mbledhë ankesat dhe shqetësimet, dhe “Radar”, që do të gjurmojë rrugën e trajtimit të tyre nga ministritë, bashkitë dhe institucionet e tjera.

Sot radha është e Tiranës. Rama do të diskutojë me të deleguarit politikë dhe deputetët e qarkut për organizimin e punës në kryeqytet, ndërsa në horizont janë edhe zgjedhjet vendore të vitit 2027. Takimi për Tiranën vjen vetëm një ditë pasi kryebashkiaku Erion Veliaj, nga qelia tërhoqi delegimin e kompetencave për Anuela Ristanin me argumentin se nuk ka zbatuar urdhrat e tij.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion