Vrasja në Durrës, merret në mbrojtje gruaja e Pëllumb Metës

Policia e Durrësit ka marrë në mbrojtje bashkëshorten e 50 vjeçarit që u vra në Durrës, Blerina Metën.
Gruaja nuk është lejuar të marrë pjesë në ceremoninë mortore të burrit të saj, paraditen e kësaj të Shtune.
Për të shmangur ndonjë konflikt të mundshëm mes vëllezërve të të ndjerit Pëllumb Meta dhe kunatës së tyre, Blerina u shoqërua nga blutë e Durrësit deri te shtëpia e prindërve të saj në Laç.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë u zbulua ditën e djeshme. Akti tronditës i 3 fëmijëve ndaj babait datonte që më 10 Shkurt të këtij viti. Ishte djali i madh i viktimës, Hysen Meta ai që e kishte qëlluar 4 herë me armë zjarri. Krim që siç deklaroi, e kishte planifikuar me të motrën 19 vjeçare Hygerta Meta, ndërsa vëllai i vogël Amarildo Meta kishin bashkëpunuar për groposjen e trupit në oborrin e shtëpisë.
Plani i tyre për fshehjen e gjurmëve doli zbuluar pasi 24 vjeçari bëri denoncimin në polici. Pas pretendimeve për një zhdukje të mistershme të kryefamiljarit, blutë dyshuan se bëhej fjalë për një krim të rëndë.


