Vrasja me thikë e 14-vjeçarit në Maliq, policia zbardh dinamikën e ngjarjes! Arrestohen 8 persona

Policia e Korçës ka zbardhur dinamikën e vrasjes së 14-vjeçarit që ndodhi dje në fshatin Pirg të Maliqit, pas hetimeve të shpejta dhe profesionale.
Si rezultat i veprimeve hetimore, janë arrestuar 8 persona:
• 14-vjeçari autor i dyshuar i vrasjes, i cili pas krimit tentoi të largohej me automjet;
• Babai dhe xhaxhai i tij, për fshehjen e mjetit prerës (thikë) me të cilin u krye krimi;
• 4 të mitur që ishin të pranishëm gjatë konfliktit dhe tentuan të pengojnë zbulimin e së vërtetës;
• Një 34-vjeçar, gjithashtu i pranishëm gjatë ngjarjes, i cili tentoi të largohej në të njëjtin automjet me 14-vjeçarin.
Gjatë operacionit u sekuestruan thika, automjeti i përdorur për largim dhe 5 celularë.
Sipas specialistëve për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP-Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq dhe në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, 14-vjeçari E.G., banues në fshatin Leminot, dyshohet se vrau bashkëmoshatarin e tij gjatë një konflikti për motive të dobëta. Gjatë përplasjes ai u dëmtua lehtë dhe mori ndihmë mjekësore, duke lënë spitalin ditën e djeshme.
Në pranga janë vënë edhe babai dhe xhaxhai i 14-vjeçarit, E.G., 44 vjeç dhe R.G., 44 vjeç, për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës; katër të mitur nga fshati Zvirinë për moskallëzim krimi dhe pengim të zbardhjes së ngjarjes; si dhe shtetasi F. Ç., 34 vjeç, për moskallëzim krimi.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme ligjore.


