Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, reagon OSBE: Sulmi i drejtpërdrejtë ndaj shtetit të së drejtës!

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ka dënuar me forcë ngjarjen e rëndë që ndodhi ditën e sotme në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku u qëllua për vdekje gjyqtari Astrit Kalaja, dhe u plagosën dy të tjerë.
Reagimi i plotë
Jemi thellësisht të tronditur dhe të hidhëruar nga të shtënat me armë brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, që i morën jetën gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosën dy persona të tjerë.
I shprehim ngushëllimet tona familjes dhe kolegëve të gjyqtarit Kalaja dhe u urojmë shërim të shpejtë të plagosurve.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dënon me forcë këtë akt të dhunshëm. Sulmet kundër gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.
Ndërsa rrethanat e plota të sulmit janë ende nën hetim, ne mirëpresim arrestimin e shpejtë të autorit të dyshuar dhe theksojmë rëndësinë e garantimit të vendosjes së drejtësisë përmes një procesi ligjor të plotë e të shpejtë.
Prezenca solidarizohet me komunitetin gjyqësor të Shqipërisë dhe mbetet e përkushtuar të mbështesë përpjekjet që forcojnë sigurinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor.
Ad


