Vrasja e biznesmenit italian në Tepelenë, dyshohet për atentat/ Katër dëshmitarët “rindërtojnë” skenën e krimit

Aktualitet

Vrasja e biznesmenit italian në Tepelenë, dyshohet për atentat/

Për Policinë dhe Prokurorinë e Gjirokastrës 24 orët e fundit kanë qenë sfiduese  për të gjetur një përgjigje se kush fshihet pas vrasjes së biznesmenit italian Edorado Sarchi, pak pas mesnatës së të premtes në zonën e Salarisë në Tepelenë.

Për të rindërtuar skenën e krimit dhe për të sqaruar pikëpyetjet e shumta, në pyetje u morën 4 dëshmitarët okularë në vendngjarje: ortaku në biznes i 44-vjeçarit, Eqrem Braçi, dhe dy djemtë e tij, si dhe Armir Hitoveizi, i gjendur rastësisht pranë zonës së krimit.

Dëshmitë e tyre kishin përputhshmëri me njëra-tjetrën, ku sipas të katër personave, mjetet me të cilat po lëviznin drejt Nivicës u ndaluan nga një breshëri të shtënash, dhe pak më vonë të shtënat rinisën sërish drejt 44-vjeçarit Edorado Sarchi, i cili ishte në drejtim të njërës prej makinave dhe u la i vdekur.

Të shtënat vinin nga një person i panjohur që qëndronte para makinave në këmbë.

Për vrasjen e biznesmenit italian, e vetmja e dhënë në dorë të hetuesve janë dëshmitë e dëshmitarëve okularë, të cilët pretendojnë se vrasja u krye nga një person i cili lëvizte në këmbë.

Por, këto dëshmi nuk kryqëzohen me të dhëna të tjera, pasi në zonë mungojnë kamerat e sigurisë, si edhe në vendngjarje nuk është gjetur asnjë gëzhojë.

Pavarësisht provave të pakta materiale, grupi hetimor po e zgjeron hetimin në lidhje me konfliktet e mundshme të biznesmenit.

Po ashtu, po ndiqet itinerari i tij 24-orësh mbi lëvizjet dhe kontaktet që ai ka pasur, për të zbuluar se kush kishte dijeni në lidhje me vendndodhjen e tij.

Dyshimet janë se vrasësit ose bashkëpunëtorët në krim janë pjesë e rrethit të biznesmenit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion