Punimet për hekurudhën Tiranë-Durrës-Rinas, bllokohet qarkullimi pranë Kthesës së Kamzës

Drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në zonën e Kthesës së Kamzës dhe Rrethrrotullimit të Treshit duhet të përgatiten për kufizime të përkohshme të trafikut, për shkak të punimeve për ndërtimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas.
Sipas njoftimit zyrtar, bllokimi dhe devijimi i qarkullimit do të nisë më 6 qershor 2026 dhe do të zgjasë deri më 9 qershor 2026, në segmentin ku rruga kryqëzohet me shinat hekurudhore pranë Rrethrrotullimit të Treshit.
Faza 1: Bllokim total i qarkullimit
Nga 06.06.2026, ora 24:00, deri më 07.06.2026, ora 05:00, do të ketë bllokim të plotë të qarkullimit.
Mjetet që lëvizin në drejtim të Tiranës do të devijohen nga rruga Petrit Radovicka.
Mjetet që vijnë nga Tirana drejt rrethrrotullimit do të devijohen te Kthesa e Kamzës, për të vijuar në rrugën dytësore industriale ose në autostradë drejt Vorës.
Faza 2: Qarkullim i pjesshëm
Më 7 qershor, nga ora 05:00 deri në 15:00, punimet do të vijojnë në korsinë në anën e Tiranës.
Gjatë kësaj faze, trafiku do të jetë i hapur pjesërisht me dy kahe lëvizjeje, duke përdorur nga një korsi për secilin drejtim.
Faza 3: Devijimi në anën e Durrësit
Nga 07.06.2026, ora 23:00, deri më 09.06.2026, ora 10:00, punimet do të zhvendosen në korsinë në anën e Durrësit.
Trafiku do të devijohet plotësisht në këtë anë të rrugës, ndërsa qarkullimi do të vijojë me nga një korsi për secilin kah.
Autoritetet bëjnë me dije se janë marrë të gjitha masat për menaxhimin e trafikut gjatë periudhës së punimeve. Shoferëve dhe banorëve të zonës u kërkohet mirëkuptim, respektim i sinjalistikës rrugore dhe planifikim paraprak i lëvizjeve për të shmangur vonesat dhe rëndesën në trafik.


