Vodhën 30 mijë euro dhe sende me vlerë, vihet në pranga pas 8 muajsh një nga autorët

Andi Çapupaj, një 49 vjeçar pjesë e një grupi të akuzuar për vjedhjen e një shtëpie, është arrestuar pas 8 muajsh në kërkim. Më herët, Blutë e Tiranës kanë arrestuar dhe anëtarin e dytë të grupit, kurse i treti është në arrati.
Andi Çapupaj së bashku me shtetasin Xh.C., dhe një person tjetër i cili nuk është i identifikuar kanë vjedhur 30 mijë euro dhe sende me vlerë.
Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.
Blutë bëjnë me dije se vijojnë punën për kapjen e personit të tretë të përfshirë në këtë ngjarje.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “November”, për kapjen e një shtetasi të kërkuar për vjedhje me pasoja të rënda.
Në nëntor 2024, bashkëpunoi për vjedhjen në një banesë, të 30 000 eurove dhe sendeve me vlerë të konsiderueshme, kapet 49-vjeçari.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë operative, në lidhje me vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, shërbimet e komisariateve të Policisë Nr. 1 dhe Nr. 6 finalizuan operacionin “November”.
Gjatë operacionit u lokalizua, u kap dhe u ndalua shtetasi A. Ç., 49 vjeç.
Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.
Në nëntor të vitit 2024, dyshohet se shtetasi A. Ç., në bashkëpunim me shtetasin Xh. C. (i arrestuar) dhe me një shtetas tjetër (ende në kërkim), vodhi 30 000 euro dhe sende me vlerë të konsiderueshme, në banesën e shtetasit A. Ç.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të fundit të shpallur në kërkim për këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.


