Vlora 4 ditë pa ujë/ Kryetarja e bashkisë: Zgjidhja po vjen nga Turqia, kjo është fatkeqësi natyrore!

Aktualitet

Vlora 4 ditë pa ujë/ Kryetarja e bashkisë: Zgjidhja po vjen nga

Drejtori i AKUK: Ndërhyrja e tretë te tubacionet, ja cili është defekti

29 dhjetor 2025 – Pas avarisë së krijuar me mungesën e ujit të pijshëm në Vlorë, ka një reagim nga kryetarja e bashkisë, Brunilda Mersini.

Sipas saj, pavarësisht se problematika nuk është në kompetencën e bashkisë, ekipet e institucionit kanë bërë maksimumin.

“Momenti është të menaxhojmë një fatkeqësi natyrore që herë pas here, në periudha intensive, prej vitesh jep këtë defekt serioz. Bashkia është munduar të suportojë pjesën e menaxhimit të zgjidhjes dhe lajmi i mirë është se në provën e fundit testimi ka rezultuar pozitiv.

Në zonën e Lungomares, me një presion minimal, për të mos rritur nivelin e rriskut. Zgjidhja përfundimtare është shumë shpejt, pjesa origjinale që i duhet tubit.

Në këtë testimin gradual do të fillojmë të furnizojmë pjesë të veçanta të qytetit. Dua të theksoj se në qytet po operojmë me 15 bote uji prej 3 ditësh tashmë, u kemi dhënë prioritet padiskutim institucioneve të rëndësisë së veçantë. Sot janë futur në rrjetin e  shpërndarjes edhe kopshtet. Është futur skema e shpërndarjes së ujit të pijshëm përmes boteve në të gjithë qytetin”, deklaroi ajo nga terreni.

“Kjo është një fatkeqësi natyrore, nuk duhet përdorur për të bërë politikë. Nuk është momenti të bëjmë analiza dhe të gjejmë fajtorin, është momenti të japim zgjidhjen. Dhe zgjidhja është duke ardhur nga Turqia: në orën 02:30 zbret avioni me tre pjesë rezervë, të cilat në orën 17:00 mbërrijnë në Vlorë.

Ndërkohë, zgjidhja e përkohshme duket se po funksionon pjesërisht. Jemi duke i dhënë ujë qytetit pjesërisht nëpërmjet ujësjellësit dhe ndërkohë 15 autobotë dhe emergjencat civile janë në terren duke shpërndarë ujë me koli”, shtoi kryebashkiakja.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK), Flauers Shoshi, ka deklaruar se një shkarje e dheut dhe depërtimi i ujit e kanë shkaktuar defektin në rrjetin kryesor të furnizimit me ujë.

Vlora 4 ditë pa ujë/ Kryetarja e bashkisë: Zgjidhja po vjen nga

“Tubi aktual është plastik dhe aktualisht nuk përdoret më. Tani, për këtë diametër përdoren tuba gize dhe çeliku. Gjithsesi, kjo është ndërhyrja e tretë riparuese që bëhet. Këtë herë jemi më të kujdesshëm dhe nuk po e hapim deri në fund linjën, për shkak se pamë që presioni i lartë mund ta dëmtojë”, mësohet të ketë thënë ai.

Kjo situatë ka shkaktuar revoltë të madhe te qytetarët, të cilët sot dhe dje janë ngritur në protestë. Madje këtë të hënë, ata kanë tentuar të futen brenda ambienteve të bashkisë, duke kërkuar “të paktën ujë për t’u larë”. Ka pasur tensione më herët edhe me forcat policore.

ME TE LEXUARAT