"Zhdukja mafioze" në burg, dosja e Alket Rizait! Dëshmitë: E goditi me tre plu'mba në kokë (VIDEO)

Aktualitet

"Zhdukja mafioze" në burg, dosja e Alket Rizait!

Emri i Alket Rizait është rikthyer në qendër të vëmendjes në Greqi, pasi përmendet në dosjen e hetimeve për vrasjen e të burgosurit Antonis Papadatos, në burgun e Domokosit më 15 shkurt 2026.

Sipas televizionit grek SKAI, dëshmitë dhe pamjet e kamerave të sigurisë e vendosin Rizain në ambientet pranë vendit ku Papadatos u vra me tre plumba. Megjithatë, Rizai e mohon se ka qenë brenda dhomës ku ndodhi krimi dhe, sipas raportimeve, nuk është akuzuar për vrasjen.

Për vrasjen është akuzuar një i dënuar bullgar me burgim të përjetshëm, i cili ka marrë përsipër përgjegjësinë për ngjarjen. Ndërkohë, kryegardiani i burgut, i cili ndodhej në vendngjarje, është arrestuar dhe është lënë në paraburgim pas deklarimeve që autoritetet i kanë konsideruar kontradiktore.

Pamjet e publikuara nga SKAI tregojnë lëvizjet e personave në burg pak para vrasjes. Sipas raportimeve, Papadatos u largua nga sektori ku qëndronte pasi u thirr nga i dënuari bullgar, ndërsa në të njëjtën kohë drejt zonës së zyrës së kryegardianit u drejtua edhe Rizai, i shoqëruar nga disa të burgosur të tjerë.

Dhoma ku ndodhi vrasja nuk kishte kamera sigurie, çka e ka bërë më kompleks zbardhjen e plotë të ngjarjes. Hetuesit po shqyrtojnë edhe provat kriminalistike të mbledhura gjatë hetimit. Sipas raportimeve të mediave greke, në këpucët e Rizait janë gjetur gjurmë gjaku, ndërsa në veshjet e tij janë evidentuar gjurmë baruti.

Vetë Rizai i ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se nuk kishte qenë në zyrën e vjetër të kryegardianit në momentin e vrasjes.

Ndërkohë, 47-vjeçari vijon të jetë në kërkim nga autoritetet greke pas largimit nga burgu. Sipas raportimeve, një nga pistat që po shqyrtohet është mundësia që ai të jetë larguar drejt Shqipërisë, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.

ME TE LEXUARAT