Ulen ndjeshëm temperaturat, bora mbulon veriun e juglindjen! Rrugë të bllokuara në Fushë Arrëz, Krujë dhe Dibër

Aktualitet

Ulen ndjeshëm temperaturat, bora mbulon veriun e juglindjen! Rrugë

Reshjet e borës gjatë mbrëmjes së kaluar mbuluan disa prej zonave në lartësitë e veriut dhe juglindjes së vendit.

Në Fushë Arrëz, trashësia e borës në Qafën e Sharit kaloi 50 centimetër, duke shkaktuar bllokimin e segmentit rrugor Kryezi – Iballë, si dhe të fshatrave që lidhen me qendrën e njësisë administrative. Për hapjen e rrugës kryesore bashkia Fushë Arrës angazhoi një mjet borëpastruese.

Akset nacionale të Pukës dhe Fushë Arrëzit u pastruan gjatë natës nga kontraktorët.

Reshjet intensive të borës gjatë natës kanë bllokuar edhe segmentin rrugor Krujë – Qafë Shtamë, duke shkaktuar izolimin e përkohshëm të shumë fshatrave të njësisë administrative Cudhi.

Qarkullimi po vijon normalisht edhe në Rrugën e Kombit. Autostrada është hapur në të gjithë gjatësinë, duke mundësuar qarkullimin pa rrezik përgjatë saj, teksa probleme me qarkullimin ka në fshatrat e thella të Kukësit.

Në Dibër, trashësia e borës arriti deri në 40 centimetër. Rruga e Arbrit raportohet e kalueshme, teksa autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar nga Qafa e Buallit deri në tunelin e Murrizit.

Në akset Peshkopi – Kukës dhe Ura e Çerenecit – Steblevë – Librazhd është i domosdoshëm përdorimi i zinxhirëve.

Teksa janë hapur rrugët drejt njësive administrative Lurë, Kala e Dodës, Muhurr, 8 mjete borëpastruese po punojnë për zhbllokimin e disa fshatrave të izoluara në bashkinë Dibër.

Si pasojë e reshjeve të borës u shënuan ndërprerje të energjisë elektrike në njësitë administrative Lurë, Selishtë, Kala e Dodës dhe disa fshatra të Sllovës.

Reshjet e borës mbuluan gjatë natës edhe rajonin e Korçës, por fatmirësisht pa shkaktuar probleme në qarkullimin rrugor, falë edhe ndërhyrjes së shpejtë për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve./Shqiptarja

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion