“U përmbyt edhe Stambolli”, Rama: Kemi gati planin me skenarët e dëmshpërblimit

Kryeministri Edi Rama ka nisur episodin e radhës të podcastit “Flasim”, ku në fjalën e tij hyrëse u ndal te situata e rëndë e përmbytjeve që kanë prekur vendin prej disa ditësh.
Rama theksoi se fenomeni nuk ka prekur vetëm Shqipërinë, duke hedhur poshtë, sipas tij, interpretimet e ekzagjeruara mediatike. Ai tha se moti ekstrem ka përfshirë një hartë shumë më të gjerë gjeografike, deri në Stamboll, ku sipas tij janë parë pamje apokaliptike.
“Kjo javë ka qenë tejet e ngarkuar me reshje e me dëborë, një gjendje atmosferike e zgjatur dhe e rëndë, e cila nuk ka prekur thjesht Shqipërinë për ndonjë arsye të lidhur me vendin tonë, nga ato arsyet që ziejnë në 700 tenxheret politike mediatike të mexhelisit shqiptar, por ka prekur një hartë të tërë nga Italia në Greqi, nga Mali i Zi në Kosovë e deri lart në Serbi, në Kroaci, e nga Maqedonia e Veriut e deri në Turqi, ku Stambolli përjetoi një situatë filmash apokaliptikë, ku i njëjti i ftohtë, i njëjti shi, e njëjta dëborë e të njëjtat përmbytje e bllokime, kanë krijuar të njëjtën situatë psikologjike për njerëzit”, tha Rama në podkastin e tij flasim.
Rama siguroi se qeveria do të qëndrojë pranë të gjithë qytetarëve të prekur nga përmbytjet, duke garantuar mbështetje për banesat, bagëtitë dhe dëmet e tjera të shkaktuara.
“Ai bëri të ditur se ekipet e verifikimit janë në terren që nga dita e parë, ndërsa Ministria e Financave ka përgatitur skenarët për dëmshpërblimin e të dëmtuarve, në pritje të përfundimit të vlerësimeve.
Kjo është motoja ime dhe e jona sa herë fatkeqësi të ndryshme godasin vendin e njerëzit, që nga tërmeti shkatërrues i mijëra e mijëra shtëpive e deri tek sikleti rrënues i një familjeje të goditur nga uji, zjarri apo nga ndonjë fatkeqësi tjetër. Dhe dua t’u përcjell përsëri, të dëmtuarve nga kjo goditje e fatkeqësisë kësaj here, se ne do t’i qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik çdo detyrimi ndaj tyre, qoftë për banesat, qoftë për gjënë e gjallë.
Puna jonë intensive nuk mbyllet me përmirësimin e situatës së motit, por do të vazhdojë me riparimin e dëmeve në infrastrukturë dhe të çdo dëmi në familjet e prekura nga uji. Ekipet tona të verifikimeve janë në terren që nga dita e parë, ndërkohë që Ministria e Financave e ka të përgatitur tanimë të gjithë planin me skenarët e dëmshpërblimit. Presim rezultatin përfundimtar të verifikimeve për të kaluar në fazën e dëmshpërblimeve.
E mos harroni, kur ne erdhëm në qeveri, në malin e borxheve që na lanë trashëgim aleatët e sotëm të fatkeqësive, ishin edhe dy kodra të larta borxhesh nga përmbytjet e zonës së Shkodrës.
Ne i shlyem një më një ato borxhe për ata njerëz dhe nuk kemi hyrë më në asnjë borxh të kësaj natyre me njerëzit e këtij vendi, sepse erdhëm për të ndërtuar një Shqipëri tjetër dhe kjo është Shqipëria tjetër, që nuk i le vetëm njerëzit e saj. Kurrë më”, u shpreh Rama.


