Turistet italiane vjedhin tezgat në Ksamil, arrestohet 21-vjeçarja, dy në hetim

Aktualitet

Turistet italiane vjedhin tezgat në Ksamil, arrestohet 21-vjeçarja,

Ksamil, 22 gusht 2025 – Një 21-vjeçare italiane është arrestuar nga policia e Ksamilit pas një episodi vjedhjeje në bulevardin kryesor të qytezës turistike.

Sipas policisë, ajo ka vjedhur sende të ndryshme nga tezgat e qendrës, përfshirë bizhuteri, parfume dhe suvenire, me vlerë rreth 150,000 lekë. Ngjarja është regjistruar më 21 gusht.

Policia njoftoi se 21-vjeçarja ka bashkëpunuar me dy vajza të tjera italiane, njëra 18 dhe tjetra 22 vjeç, të cilat janë të hetuara në gjendje të lirë.

“Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të veprimeve për goditjen e krimeve kundër pronës, pas marrjes së njoftimit për një vjedhje të ndodhur në zonën e Ksamilit, zhvilluan një punë hetimore të shpejtë dhe profesionale, e cila bëri të mundur identifikimin e autorëve, si dhe dokumentimin e plotë të gjithë mekanizmit të ngjarjes.

Konkretisht, si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasja italiane: M. D., 21 vjeçe. Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë 2 bashkëpunëtoret e saj, shtetase italiane: G. D., 18 vjeçe, G. C., 22 vjeçe.

Nga hetimet dyshohet se këto shtetase, më datë 21.08.2025, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, kanë kryer vjedhje të sendeve të ndryshme (bizhuteri, parfume dhe suvenire), të vendosura në stenda, në zonën e bulevardit të Ksamilit, me vlerë rreth 150 000 lekë”, njoftoi Policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

ME TE LEXUARAT