Tiranë Nisin Ditët e Kujtesës për viktimat e diktaturës komuniste

Edicioni i dhjetë i Ditëve të Kujtesës, i organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS), ka filluar në Tiranë si një platformë e rëndësishme për diskutime mbi trashëgiminë e diktaturës komuniste në Shqipëri. Ky aktivitet përfshin një seri tubimesh, ku po trajtohen pasojat e regjimit komunist dhe ndikimi i tij në shoqërinë shqiptare.
Jonila Godole, drejtuese e IDMC-së, theksoi se shumë viktima të pafajshme, që rezistuan ndaj diktaturës, nuk janë nderuar ashtu siç meritojnë. Ajo e shprehu këtë shqetësim në një intervistë për Zërin e Amerikës, duke shtuar se kujtesa për këto individë është ende e paplotë. Gjatë Ditëve të Kujtesës, është hapur një ekspozitë në ish-muzeun e diktatorit Enver Hoxha, ku paraqiten portrete dhe jetëshkrime të të përndjekurve politikë.
Megjithëse ka kaluar më shumë se një çerek shekulli që nga rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës dhe shpallja e pluralizmit politik, studiuesit vlerësojnë se ende nuk po nderohen siç duhet viktimat e diktaturës. Ata theksojnë se harresa e qëllimshme për krimet e regjimit ka eklipsuar kujtesën shoqërore për pasojat e atij sistemi.
“Megjithë punën që kemi bërë në këto dhjetë vite në fushën e kujtesës, ne ende nuk ia dolëm që të kemi një Ditë Kujtese, që të përkujtojë viktimat dhe qëndresën ndaj diktaturës, dhe asnjë memorial në qendër të Tiranës. Për sa i përket muzealizimit, edhe pse janë ndërmarrë disa hapa positive, gjithësesi, gjithë investimi është bërë në vendet, ku kanë qenë persekutorët dhe jo të persekutuarit, pra jo në vendet e vuajtjes”, thotë për Zërin e Amerikës, drejtuesja e Institutit, Jonila Godole.
Sot, IDMC-ja organizoi një konferencë ndërkombëtare që u fokusua në muzealizimin e kujtesës, ruajtjen e historisë dhe saktësimin e saj përmes dëshmive dhe dokumenteve të viktimave të diktaturës.
“A është vërtet kaq e lehtë të harrohen ato që ndodhën? Kjo harresë duket se është një sjellje e memories kolektive për ta fshirë të kaluarën. Por për fat të eq, harresa sjell përsëritje, ose rreziun e përsëritjes”, thotë Luigj Ndou, përfaqësues i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur për Prishtinën dhe Tiranën.
Frederika Hanotier, përfaqësuese e Delegacionit të BE-së në Shqipëri për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe mediat, theksoi se kultura e kujtesës është një nga elementët më të rëndësishëm për shoqëritë, veçanërisht ato në tranzicion, dhe kërkon mbështetje të vazhdueshme.
“BE mbetet shumë e angazhuar të mbështesë Shqipërisë dhe është përkrah saj në përpjekjet për të mos harruar pasojat e të kaluarës, sepse kjo qëndron në thelbin e zhvillimeve demokratike. Këto nisma forcojnë lidhjet mes BE-së dhe Shqipërisë, që ndajnë të njëjtat vlera dhe janë të angazhuara për drejtësi. Angazhimi për kujtesën është angazhimi për drejtësi, shtet të së drejtës dhe për demokraci", thotë zonja Hanotier.
Zonja Godole theksoi se kampi i Tepelenës, burgu i Spaçit, ai i Qafë Barit dhe vendet e tjera të ngjashme janë kthyer në rrënoja, dhe është shumë më e vështirë dhe më e shtrenjtë t’i shndërrosh ato në qendra muzeale dhe edukuese për brezin e ri që të njohë diktaturën dhe pasojat e saj. Megjithatë, ajo e konsideron këtë një mision që duhet vazhduar.
“Imagjinoni, kur të mos kemi më as dëshmitarët e kohës, të cilët po ndahen ditë për ditë nga jeta, kur të mos kemi as vendet e kujtesës, ku ata vuajtën dënimet e padrejta të tyre, atëherë se kush mund të vijë dhe të krijojë një narrativë të re se çfarë ishte diktatura, se çfarë ndodhi aty, dhe jam e sigurtë që nuk do të jetë më ajo që ishte, ajo që ne kemi përjetuar, ajo që vërtet ka lënë pasoja deri më sot këtu”, thotë zonja Godole.
Folësit theksuan se mësimet e nxjerra nga e kaluara komuniste janë të rëndësishme për ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe të drejtë në Shqipëri. Ata shprehën besimin se mesazhet nga periudha e diktaturës nuk duhet të harrohen, në mënyrë që brezat e sotëm dhe ata të ardhshëm të mund të jetojnë në një shoqëri të bazuar në vlerat europiane, respektimin e të drejtave të njeriut dhe llogaridhënien.
“Sfida kryesore për të cilën Autoriteti ndihmon është rishqyrtimi i historisë. Nga burimet e vjetra ishte krijuar një narativë e ngurtë. Tashmë duke patur burime të reja, duke patur edhe dëshmitë rreth tryezës nga personat, për të cilët ishte tabu dalja në publik, por ishte vetëm përbaltja për ta e jo zëri i tyre i dëgjuar, krijohet një historiografi e re, e cila dita ditës po sjell fakte, teza, qasje të reja”, thotë Genta Sula, drejtuese e Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit.
Ditën e parë të Kujtesës u çel në mjediset e Piramidës, ish muzeu i diktatorit Enver Hoxha. ekspozita fotografike “Rrugëtime të Papritura të Jetës” me portrete dhe histori të ish-të përndjekurve politikë.
Gjatë këtyre ditëve po publikohen libra dhe filma dokumentarë mbi dikaturën në Shqipëri dhe vende të tjera, vizita në muzeume dhe tubime me të rinj.


