Fluks i lartë i automjeteve/ Mijëra udhëtarë përballen me 10 orë pritje në kufirin Kroaci-Mali i Zi

Aktualitet

Fluks i lartë i automjeteve/ Mijëra udhëtarë përballen

Kolona të gjata automjetesh dhe pritje që në disa raste kanë arritur deri në 10 orë janë regjistruar gjatë fundjavës në pikën kufitare Karasoviçi–Debeli Brijeg, në kufirin mes Kroacisë dhe Malit të Zi, duke krijuar një nga situatat më të vështira të sezonit turistik në rajonin e Adriatikut.

Sipas medieve kroate, mijëra automjete janë bllokuar në radhë kilometrike që shtrihen nga pika kufitare Karasoviçi deri pranë aeroportit të Dubrovnikut, ndërsa trafiku ka përfshirë edhe rrugët lokale në komunën e Konavles, duke vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e banorëve.

Për banorët e kësaj zone, fundjava e parë e muajit gusht është kthyer tashmë në periudhën më problematike të vitit për shkak të fluksit të jashtëzakonshëm të automjeteve që kalojnë drejt Malit të Zi.

Situata është konsideruar aq serioze, sa kryetari i bashkisë së Konavles, Bozho Lasiç, aktivizoi Shtabin e Mbrojtjes Civile të komunës, duke e cilësuar gjendjen si të papranueshme.

“Njerëzit nuk mund të shkojnë në shtëpitë e tyre apo të zhvillojnë aktivitetet normale të përditshme”, deklaroi ai duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme derisa të normalizohet qarkullimi.

Ekspertët e transportit e lidhin këtë situatë me fluksin tradicional të lëvizjeve gjatë fundjavës së parë të gushtit.

Çdo vit, mijëra qytetarë nga Shqipëria, Mali i Zi dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët jetojnë dhe punojnë në Gjermani, Zvicër, Austri, Itali, Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera evropiane, udhëtojnë drejt vendeve të origjinës për pushimet verore.

Në të njëjtën kohë, një numër i madh turistësh që qëndrojnë në Dubrovnik zgjedhin të vizitojnë destinacionet turistike të Malit të Zi, si Kotori, Budva dhe Gjiri i Kotorrit, duke shtuar ndjeshëm ngarkesën në pikën kufitare.

 

ME TE LEXUARAT